Lajme

Mjeku nga Presheva pjesë e ekipit ku u krye operacioni më i rëndë në QKUK

62-vjeçari nga komuna e Prishtinës Memli Zhubi javë më parë ka pasur pëlcitje të enës më të madhe të gjakut (arteries) në organizëm. Ai thuajse pa shenja jete dhe në gjendje shoku ishte dërguar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku iu nënshtrua një operacioni i cili cilësohet se është më i rralli në botë. Operacioni është kryer në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare dhe ka zgjatur më shumë se gjashtë orë. Për operime të tilla, mjekët e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK bëjnë thirre që qytetarët t’i kryejnë në këtë klinikë, e jo në spitale private apo edhe jashtë vendit.

Asnjëherë nuk ishte ankuar se vuante nga ndonjë sëmundje. Memli Zhubi 62-vjeçar nga Prishtina, me profesion ekonomist, javë më parë ra në gjendje shoku si pasojë e pëlcitjes së arteries më të madhe në organizëm e cila shpërndan gjakun në trupin e njeriut. Si pasojë e kësaj ai iu nënshtrua një operimi që zgjati për më shumë se gjashtë orë në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK.

Shpresat që 62-vjeçari t’i shpëtojë kësaj patologjie ishin të pakta për mjekët e QKUK’së.

Lidhur me këtë rast ka folur të hënën për Express doktori Bekim Ademi, i cili e udhëhoqi ekipin për operimin e 62-vjeçarit. Ai ka shpjeguar për ecurinë e operimit si dhe rreziqet në të cilat ka kaluar ky operacion.

Ademi ka thënë se operimet e tilla janë ndër më të rrallat në botë dhe se shkalla e rrezikut të humbjes së jetës së pacientit është shumë e madhe dhe shkon deri në 95 për qind.

“…Rasti është i veçantë për arse se ka të bëjë me një patologji me një diagnozë mjaft të rëndë. Pacienti ka qenë në gjendje të shokut hemorragjik, sepse ka pasur pëlcitje të zgjerimit të aortës abdominale (arteries më të madhe të organizmit) që vjen nga zemra dhe shpërndan gjakun në periferi”, ka thënë Ademi.

Doktori shpjegon se pesha e madhe e pacientit 62 vjeçar nuk e ka lejuar atë që t’i vërejë përkeqësimet e tija.

“Ky pacient ka pasur një zgjerim të aortës abdominale, në nivelin e veshkave e cila ka shkuar deri në pjesën e poshtme të barkut. Karakteristikë e këtij rasti është se pacienti është në moshë relativisht të re, 62-vjeçar dhe pa ankesa të mëhershme për zgjedhim të aortës. Pacienti në fjalë ka qenë pak mbipeshë dhe deri në momentin sa ka ardhur tek ne nuk ka mundur ta hetojë se ka një patologji të tillë”, ka thënë doktori i klinikës së Kirurgjisë Vaskulare në QKUK.

62-vjeçari pas më shumë se një muaji qëndrim në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK, gjatë ditës së hënë është lëshuar për mjekim në shtëpi. Memli Zhubi thotë se po ndihet mirë me shëndet.

“Unë kam pas një bindje që nuk punohet në këtë klinikë. Jam bindë pas rastit tim dhe tretmanit që kam pas këtu se me të vërtetë po u kryjke një punë e madhe. Nuk ka nevojë që të shkojmë jashtë vendit për operim. Tash jam mirë, kam fillu me ec. Unë me profesion jam ekonomist. Nuk kam vuajtur nga ndonjë problem shëndetësor”, thotë për Express pacienti Memli Zhubi.

Megjithëkëtë operimet e tilla në të shumtën e rasteve kryhen jashtë vendit. Rreth kësaj çështjeje doktorët e Vaskulares po bëjnë thirrje që pacientët ta zgjedhin QKUK’në e jo spitalet private apo edhe ato jashtë vendit për t’i kryer operimet e tilla.

“Nëse ky operacion bëhet në klinika private apo edhe jashtë vendit, starti për të kushton diku afro 15 mijë euro. Kurse tek ne me një blerje të protezës mund të bëhet zgjidhje. Mesazhi do të ishte një furnizim më i mirë, ngase me operime të tilla shumë para që jepen për shërim jashtë vendit mund të kurseheshin”, ka thënë doktori Bekim Ademi.
Ai kërkon nga institucionet shëndetësore kosovare që ta furnizojnë me proteza Klinikën Vaskulare, në mënyrë që pacientët të mos kenë nevojë që ato t’i blejnë nga spitalet e tjera private në vend apo edhe në barnatore.

“Në Klinikën Vaskulare kemi mungesë të protezave. Një protezë e tillë në treg kushton afro 500 euro. Por pacientët me patologji të tilla në të shumtën e rasteve trajtohen në spitalet jashtë vendit. Ky operim është i rrallë edhe në vendet perëndimore. Në raste kur nuk ka material të mjaftueshëm për këtë çështje ne detyrohemi t’i sugjerojmë të dalin jashtë vendit. Rasti si rast dhe operimi hyjnë në grupin e operacioneve heroike. Pacienti për momentin është mirë”, ka thënë dr. Bekim Ademi.

Ekipi operativ që ka marrë pjesë në këtë operacion i cili po cilësohet si heroik nga ana e doktorëve të kësaj u përbë nga doktorët Bekim Ademi, Laura Leci, Edon Zylfiu dhe Adhurim Koshi.

Related Articles

Back to top button