Lajme

Me vdekjen e Musliut, u shua një zë i arsyeshëm në Luginë të Preshevës

Liderët nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia shprehen ngushëllime për shuarjen nga jeta të Jonuz Musliut, kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginën së Preshevës

Përfaqësuesit politikë e institucionalë nga të gjitha vendet e banuara me shqiptarë e kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e kryetarit të Kuvendit të Bujanocit dhe ish udhëheqësit politik të UÇPMB-së, Jonuz Musliu i civli vdiq sot në Turqi, ku po kurohej nga një sëmundje e zemrës. Vdekja e Musliut konsiderohet humbja e një zëri të arsyeshëm të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Musliu i lindur më 1959 në Konçul të Bujanocit ka qenë një veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare. Si i ri ishte i burgosur politikë e më pas iu bashkua UÇK-së në Kosovë. Në Luginën e Preshevës ishte emëruar drejtor politik i luftës së UÇPMB-së, ndërsa pas përfundimit të luftës formoi një parti politike, e cila bashkoi rreth vetës të gjithë ish guerilët.

Disa javë më parë, ai u nis drejt Turqisë për kurimin e sëmundjeve kardiake. Ai sot vdiq në Turqi.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nëpërmjet një telegrami shpreh dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të Kryetarit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginën së Preshevës, Jonuz Musliu.

“Me hidhërim të thellë e mësova lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të veprimtarit të devotshëm, patriotit të përkushtuar, me kontribut të vazhdueshëm dhe të jashtëzakonshëm për avancimin dhe përforcimin e të drejtave kombëtare dhe politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, z.Jonuz Musliu. Duke ndarë me ju dhimbjen e thellë për humbjen e këtij personaliteti të shquar, i përcjell ngushëllimet më të thella e të sinqerta të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, bashkëpunëtorëve dhe bashkëluftëtarëve të Jonuzit dhe në mënyrë të veçantë të gjithë familjarëve dhe të afërmeve të tij”, shkruan në ngushëllimin e Metës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka shprehur ngushëllime familjes Musliu, për vdekjen veprimtarit, Jonuz Musliu, duke thënë se ai dha një kontribut të vazhdueshëm për avancimin e të drejtave politike dhe kombëtare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Me dhembje mora lajmin për vdekjen veprimtarit të shquar Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Jonuz Musliu dha një kontribut të vazhdueshëm për avancimin e të drejtave politike dhe kombëtare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Jonuz Musliu po ashtu dha kontribut në procesin e çlirimit të Kosovës. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Musliu”, ka shkruar Thaçi në facebook.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka shkruar në lidhje me vdekjen e Jonuz Musliut, kryetar i Këshillit Nacional të Bujanovcit.

Veseli ka shkruar se Musliu ka qenë njëri ndër veprimtarët më të hershëm dhe më kontribuues në përpjekjet e popullit shqiptar për liri.

“Me keqardhje të madhe mora lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të një prej miqve dhe bashkëluftëtarëve të mi, Jonuz Musliut. Jonuzi ka qenë një ndër veprimtarët më të hershëm dhe më kontribues në përpjekjet e popullit tonë për liri e barazi dhe gjithë jetën ai ia ka dedikuar kauzës kombëtare. Ikja e tij e parakohshme jo vetëm që pikëllon familjarët, miqtë e bashkëpunëtorët e tij por edhe lë një boshllëk të madh në sferën politike të bashkëkombëseve tanë në Luginën e Preshevës”, shkruan Veseli.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur pikëllimin e tij me rastin e ndarjes nga jeta të kryetarit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu.

“Me dhembje mora lajmin për shuarjen e luftëtarit të lirisë, ish komandant i UÇMPB-së dhe Kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu. Musliu, një jetë njeriu i është përkushtuar zgjidhjes së drejtë të çështjes së shqiptarëve në Luginë, luftëtar i paepur i të drejtave të njeriut, mik dhe familjar i mirë, do t’i mungojë familjes së tij, dhe komunitetit. I qoftë i lehtë dheu!”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, shpreh ngushëllimet më të thella për familjen Musliu, me rastin e ndarjes nga jeta të bashkëluftëtarit tonë Jonuz Musliu.

“E nderuara Familje Musliu! Mbahuni e qëndroni të fortë në këto momente dhimbjeje që ndjeni për babanë e juaj. Ai nuk ishte vetëm i Juaji por edhe i popullit sepse dihen kontributet e mëdha të tij, që dha për çështjen kombëtare”, thuhet në letrën e OVULÇK-së dërguar familjes Musliu.

Edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Musliu me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare, Jonuz Musliu. Në telegram thuhet:

“U trondita me lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare, Jonuz Musliu, i cili ishte kryetar i Këshillit Nacional për Kosovën Lindore dhe në të kaluarën kryetar i Bujanocit. Do ta kujtoj përgjithmonë për bashkëpunimin e sinqertë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore, kauzë për të cilën nuk u ndal së punuari deri në momentet e fundit të jetës”, shkruan Haziri.

Edhe Organizata e veteranëve të UÇPMB-së në Bujanoc, ka shprehur ngushëllime me humbjen e njeriut që drejtoi politikisht këtë luftë. “Me indinjatën më të thellë pranoi lajmin për vdekjen e veprimtarit të çështjes kombëtare Jonuz Musliut. Ai ishte pjesëtar i UÇK-së dhe përfaqësues politik i UÇPMB-së. Aktualisht ishte Kryetar i kuvendit komunal të Bujanocit dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Kosovës lindore. Të qoftë i lehtë dheu i kësaj toke”, shkruan në ngushëllim.

Ngushëllime për humbje e Musliut kanë ardhur nga të gjitha vendet shqiptare, përfshirë edhe nga Maqedonia e Ulqini.

“Me pikëllim dhe dhimbje të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëshortit dhe babait Tuaj, mikut tim të shtrenjtë, shokut të hershëm, bashkëveprimtarit, luftëtarit të paepur për çështjet mbarëshqiptare…Kontributi i tij jetësor, në lëvizje, luftë dhe në paqe do të mbetet përherë në kujtesën kolektive të shqiptarëve”, shkruan Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së dhe bashkëveprimtar i Musliut.

Related Articles

Back to top button