APN në Bujanoc me platformë për monitorim të qeverisjes lokale
Alternativa për Ndryshim në Bujanoc ka formuar komisionet punuese të cilat i përgjigjen gati të gjitha sferave të jetës politike dhe shoqërore në këtë komunë.
Komunikatë e Këshillit të Përgjithshëm të APN-së në Bujanoc
Komisionet punuese në shërbim të përgatitjes së Platformës vepruese dhe monitorim i vazhdueshëm i pushtetit aktual
Këshilli i Përgjithshëm i Alternativës për ndryshim, në Bujanoc, në mbledhjen e fundit, ka formuar komisionet punuese të cilat i përgjigjen gati të gjitha sferave të jetës politike dhe shoqërore.
Me këtë rast, anëtarët e këtij forumi partiak kanë bërë themelimin e komisionit për arsim, atij për shëndetësi, zhvillim ekonomik, planifikim hapsinor, ekologji, si dhe komisionit për kulturë, rini e sport.
Detyrë primare e këtyre grupeve të sapoformuara do të jetë identifikimi i pikave kyçe që do të shërbejnë në hartimin e një Platforme vepruese partiake e cila me shtimin edhe të elementeve politike do të shërbejë edhe si Platformë ose ofertë zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin lokal.
Përveç kësaj, këto komisione për së afërmi do të monitorojnë punën e vetqeverisjes aktuale në komunë të Bujanocit duke i vënë në pah të gjitha mangësitë ekzsituese por në të njejtën kohë edhe duke paraqitur solucionepër çfarëdo lloji të problemeve.
Në këtë takim, përfaqësuesit e Këshillit të Përgjithshëm të Alternativës për Ndryshim, në Bujanoc, kanë nxjerrë në sipërfaqe edhe një sërë kritikash në adresë të pushtetit ekzistues.
Janë hedhur dyshime në konkurset aktuale të cilët mund të marrin epilogun e dirigjimeve partiake e që mund të dëmtojnë nevojat dhe kualitetet permanente të konkuruesve në baza meritore. Poashtu, dyshime janë hedhur edhe ndaj konkursit për praktikantë i cili mund të shërbejë si një mjet për militantë partiak apo edhe përkushtëzime elektorale që mund të përkojnë me zgjedhjet për Këshillin Nacional.
Gjithashtu, në këtë mbledhje, është kritikuar neglizhenca e vetqeverisjes lokale në lëminë e shëndetësisë. Shtëpia e shëndetit në Bujanoc është bërë oazë e keqmenaxhimit por edhe e diskriminimit evident ndaj shqiptarëve. Mungesa e kuadrove shqiptarë ka arritur kulminacionin kurse sjelljet e udhëheqjes së këtij institucioni shëndetësorë, e cila, ndër të tjera, edhe hetohet për disa afera korruptive, janë jashta çdo norme.
Një neglizhencë e tillë e pushtetit aktual në sferën e shëndetësisë po reflektohet edhe në mjediset më të mëdha rurale brenda komunës, si në Tërrnoc dhe Bilaç.
Në fund të takimit, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm kanë prezantuar planin e formimit të Forumit të Gruas në kuadër të APN-së në Bujanoc.
Bujanoc, 22.03.2018
Shërbimi për Informim i APN-së, Bujanoc