Ndërron jetë Stephen Hawking, një nga shkencëtarët më të mëdhenj të botës
Profesori i njohur Stephen Hawking ka vdekur në moshën 76-vjeçare, tha një zëdhënës i familjes së tij. Teoricieni i fizikës ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Cambridge të Anglisë mëngjesin e së mërkurës. Në një deklaratë, fëmijët e Hawking, Lucy, Robert dhe Tim thanë: “Jemi të dëshpëruar për ndarjen nga jeta të babait tonë të dashur ditën e sotme. Ai ishte një shkencëtar i mrekullueshëm dhe një njeri i jashtëzakonshëm, puna dhe trashëgimia e të cilit do të jetojnë për shumë vite”.
Teoricieni më i mirë i fizikës së kohës së tij, Hawking shkroi qartë për misteret e hapësirës, kohës dhe vrimave të zeza sa që libri i tij “Një histori e shkurtër e kohës” u bë bestseller ndërkombëtar, duke e bërë atë një ndër shkencëtarët më të famshëm që nga Albert Einstein.
Edhe pse trupi i tij u sulmua nga një sëmundje neuronesh kur Hawking ishte 21 vjeç, ai habiti mjekët duke jetuar normalisht me sëmundjen fatale për më shumë se 50 vjet. Veprat më të famshme të Hawking përfshinin një model matematikor për Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit të Albert Einstein dhe natyrën e universit si Big Band apo vrimat e zeza. Ai shkroi e bashkëshkroi 15 liibra në total. Lindi më 8 janar të vitit 1942 në Oksford të Anglisë.
Familja e tij kishte kaluar në Oksford nga veriu i Londrës për t’i shpëtuar kërcënimit të raketave të Luftës së Dytë Botërore. Talenti i tij i mrekullueshëm dhe metodat e studimit e bënin që ai të përdorte pak libra, të mos mbante shënime, por ende të zgjidhte probleme që askush tjetër nuk i zgjidhte. Stephen dëshironte të studione matematikën, por lënda nuk ishte e disponueshme në kolegj kështu që ai zgjodhi fizikën në vend të saj.