Në Preshevë shënohet 21 marsi dita botërore e poezisë (Foto)
Në Bibliotekën e Qytetit “Mehmet Jusufi” në Preshevë, Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit, e shënoi këtë datë me rëndësi për poezinë.
Ky Manifestim u nda në dy etapa:
Tribunë e shkurtër letrare për poezinë e poetit Nehat Ramizi, për të cilën foli shkrimtari Hysen Këqiku nga Gjilani dhe ora letrare.
Fillimisht kryetari Maliqi, mbajti një fjalim lidhur me 21 Marsin- Ditën Botërore të Poezisë.
Për t’i përshëndetur të pranishmit në foltore doli drejtori i Bibliotekës z. Erxhan Ramadani, i cili i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje aq masive.
Shkrimtari Hysen Këqiku, foli për poezinë e Nehatit në pika të shkurtra, duke shpalosur vlerat e librave të trajtuara.
Ora letrare mblodhi krijuesit e Luginës së Preshevës dhe më gjerë, të cilët lexuen poezitë e tyre para të pranishmëve në sallë, e cila ishte e mbushur me plot adhurues të fjalës së bukur poetike si: Hysen Këqiku, Bilall Maliqi, Avni Shaqiri, Demush Berisha, Mejdi Shabani dhe Marigona Fejzullahu…
Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” i falënderon të pranishmit, të cilët e madhështuan këtë Manifestim, e sidomos nxënësit e Gjimnazit “Skënderbeu” me profesorin e tyre z. Xhelal Arifi.
Shoqata “Feniks” nderon me mirënjohje për bashkëpunim bBibliotekën e Qytetit “Mehmet Jusufi”, të cilën e pranoi drejtori i saj z. Erxhan Ramadani.
Me mirënjohje u nderuan: Hysen Këqiku, me motivacionin “për afirmimin e krijuesve letrar të Luginës së Preshevës”;
Demush Berisha, për organizime letrare në komunën e Preshevës;
Nehat Ramizi, për organizime letrare në komunën e Bujanocit;
Rexhep Abazi, për organizime letrare në komunën e Medvegjës…