Lajme

Riad Ramadani nga Bujanoci, përfundon me sukses të lartë doktoratën në Slloveni

Riad Ramadani, është studenti i radhës nga Lugina e Preshevës që përfundoi me sukses të lartë studimet e doktoratës në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Mariborit në Slloveni.

Ai në muajin Tetor të vitit 2014 ka regjistruar studimet e doktoratës përmes një burse tre vjeçare JoinEU-SEE PENTA të fituar nga Komisioni Evropian ndërsa në afat përfundoi të gjitha provimet me notë mesatare 9.75 dhe në muajin Shkurt të vitit 2018 mbrojti doktoratën me titull “Dizajnimi i strukturës së trupit të dhëmbëzoreve për kontrollimin e vibrimeve”.

“Dituria e fituar përmes studimeve në vendet më të zhvilluara ekonomike sigurisht ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e përgatitjes profesionale të çdo individi. Njohurit e fituara gjatë studimeve të bëjnë kompetent dhe njëkohësisht përgjegjës për fushën e caktuar të studimeve, qofte ato shkenca teknike, natyrore apo shoqërore”, u shpreh Riad Ramadani për Titulli.com.

Ai gjithashtu theksoi se rinia e Kosovës dhe Luginës së Preshevës duhet të shkollohen sa më shume sepse edukimi është çelës për zhvillim dhe mirëqenie të një kombi.

Ramadani në vitin 2001 u regjistrua në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, në departamentin e Konstruktimit dhe Disajnimit, diplomoi më 2004 me notë mesatare gjatë studimeve 9.28. Ishte shfrytëzues i bursës universitare dhe studenti i parë që diplomoi në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike me sistemin e Bolonjës.

Pas diplomimit “Bachelor” u regjistrua në studimet Master në të njëjtin fakultet të cilat i përfundoi me notë mesatare 9.80.

Në shtatorë të vitit 2006 u zgjodh asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në departamentin e Konstruktimit dhe Disajnimit për këto lëndë: Detalet e makinave I, Detalet e makinave II, Vizatimi me kompjuter, Konstruktimi me kompjuter, Metodika e konstruktimit dhe Modelimi i konstruksioneve makinerike.

Dr. sc. Riad Ramadani deri më tani ka të publikuar 12 punime shkencore me recension ndërkombëtarë.

Në mars të vitit 2011 ka qenë në trajnim intensiv për softuerin LabVIEW në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Aachen, Gjermani.

Në tetor të vitit 2011, përmes projektit TEMPUS ka qenë në vizitë një javore në Universitetit e Teknologjisë të Vjenës dhe në vizitë dy javore në Universitetin Teknik të Sofjes. Po ashtu, në shtator të vitit 2012 ka qenë në vizitë dy javore në Universitetin Teknik të Sofjes.

Riad Ramadani u lind në fshatin Lluçan të komunës së Bujanocit, shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa të mesmen teknike-drejtimi i makinerisë në Bujanoc.

Aktualisht është i punësuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës.

Related Articles

Back to top button