Xhamia më e madhë në Maqedoni planifikohet të hapet më 2020
Xhamia e Tophanës, më e madhja në Maqedoni, e cila është duke e ndërtuar nga ana e Fondacionit Turk të Çështjeve Fetare (TDV), pritet të hapet në vitin 2020, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, vizitoi vendin ku po ndërtohet xhamia nga ana e kompanisë Komaş A.Ş., që është kompani e TDV-së dhe Dijanetit të Turqisë.
Gjatë vizitës, Kara u shoqërua nga zëvendësambasadori Murat Sümer dhe këshilltari për Shërbime Fetare Murat Alkan, ndërsa u informua nga zyrtarët në lidhje me ndërtimin e xhamisë dhe zhvilloi bisedë me punonjësit.
Siç thuhet në një deklaratë nga Konsulenca e Shërbimeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, xhamia do të ketë kapacitet për 3.500 persona, ndërsa pas përfundimit, ajo do të fitojë epitetin xhamia më e madhe në Maqedoni.
Sipas deklaratës, në xhami do të ketë autopark të mbyllur, vend për larjen e kufomave, morg, sallë për pritje, sallë shumëqëllimshe, bibliotekë dhe oda për mbledhje dhe seminare. Të gjitha këto do të përbëjnë një kompleks të vetëm, në të cilin do të gjenden edhe kursi i Kuranit, zyra dhe hapësira tregtare.
Xhamia, objekti kryesor i të cilit do të ketë sipërfaqe prej 2.280 metrash katrorë, do të përfshijë sipërfaqe totale të mbuluar prej 9.997 metrash katrorë, thuhet në deklaratë.
“Xhamia, e cila do të ndërtohet si një reflektim i Xhamisë Mihrimah Sultan në Edirnekapi të Stambollit, do të reflektojë modelin osman me dy minare të larta 48 metra”, thuhet më tej.
Gurthemeli i xhamisë ishte hedhur në shtator të vitit të kaluar, ndërkohë që, sipas deklaratës së konsulencës, e njëjta pritet të hapet në muajin Ramazan të vitit 2020.