Katoliku Gjet Ndoja: Shqiptarët janë kolonë të ardhur nga Lindja e Mesme
Katoliku Gjet Ndoja sjell një studim “historik” të Shqipërisë që nga periudha e dyndjeve sllave dhe deri në kohët e sotme. Studimi i tij është një studim i mbushur me islamofobi dhe njenja të pastra anti turke dhe sllave. Për “studiuesin” katolik të gjithë popujt e lindjes janë barbarë, si sllavët ashtu edhe popujt e tjerë të Lindjes së Mesme. Për sa i përket origjinës së popullsisë së sotme shqiptare, ai thotë në paragrafin e mëposhtëm se shqiptarët janë kolonë të ardhur nga vendet e Lindjes si Persia, Anadolli, (Konja) dhe Egjipti.
Gjet Ndoja – “Pas kësaj zbrazje të Arbërisë nga popullsia e saj, Perandoria u kujdes për “mbushjen” me kolonë që vinin nga Persia, Anadolli, (Konja), Egjipti, etj. Vendosja e kolonëve; zejtarë, ushtarakë, administratorë dhe e familjeve të tyre, duke sjellë njeherazi dhe kulturën e zakonin islamo -aziatik, ndodhi kryesisht në disa qendra politiko- administrative si: në Gjinokastër, Janinë, Berat, Elbasan, Kavajë, Tirane, Krujë, Shkoder, Prizren, Shkup, Gjakove, Manastir etj.”
Megjithëse studimi i tij çalon në të gjitha drejtimet ai përmend edhe disa të verteta si psh, pas Luftës se Parë Botërore, figura të shquara si Turhan Pashë Përmeti e disa pjesëtarë të Qeverisë së kryesuar nga Suleman Delvina nuk dinin as të shkruanin e të flisnin shqip (flisnin turqisht).
Katoliku Gjet Ndoja në studimin e tij të mbushur me islamofobi, me urrejte dhe me plot të pavërteta historike pretendon se në kohen e Komunizmit u shkatërruan vetëm kisha, kryesisht katolike dhe asnjë xhami e vetme.
Shkrimi i plotë.
Qytetërimi Iliro- Arbnor -Shqiptar përballet prej gati 1400 vitesh me orientin barbar
Nga Gjet Ndoji
Procesi i shkatërrimit dhe i asimilimit të Qytetërimit Iliro- Arbnor- Shqiptar është një proces i nisur të paktën që para 1400 vitesh nga invadimet barbare sllave, turko aziatike etj, dhe vazhdon duke mos ndalur edhe në ditët tona. Gjatë gjithë kësaj historie janë lehtësisht të evidentueshëm shkatërrimi i qyteteve kalave antike ilire, kështjellave mesjetare, kishave, kullave, dërtesave antike, nga ana tjetër ndërtimi i objekteve të banimit dhe ato të kultit me frymë, me funksion dhe stil tjetër. Ky proces shkatërrues i trashëgimisë materiale e shpirtërore ka kaluar në disa faza, i orientuar në disa drejtime, të cilat në mënyrë të përgjithshme dhe shumë të përmbledhur janë:
I- Faza e sundimit bizantin
Veçanërisht nga shekulli VII deri ne shek XIII (periudha e shthurjes dhe e kalbëzimit te Perandorisë Bizantine), përkon me dyndjet sllavo- bullgare në fillim dhe me vonë me dyndjet e sllavëve të jugut (serbët, malazezët, kroatët etj). Që në fillim fisnikëria bizantine ndoqi politikë toleruese ndaj invazionit barbaro sllav duke lejuar edhe në trojet e Ilirisë, veçanërisht në luginat e sipërme dhe të mesme të lumenjve: Vjosë (deri në bregdet), Osum e Devoll, Shkumbin, më pak ne Mat, Drin etj. Gjurmët e këtij invazioni kanë ardhur deri në ditët tona dhe mund të idendifikohen nëpërmjet toponimeve sllave të këtyre trevave, si p.sh: Bilisht, Bozhgrad, Pogradec, Selcë, Pustec, Opar, Skrapar, Gradec, Çorovodë, Bogovë, Poliçan, Mezhgoran, Kuçovë, Belgrad (Berati), Selenice, Novosejë, Gramsh, Librazhd, Gollobordë, Junik, Domozdovë, Pishkash, Vajkal, Bozhiq, Bushkash, Stojan, Zerqan, Gjoricë, Skavice, Shishtavec, Novosele, Koritnik, Tetovë, Kërçovë, Kumanovë, Zapod, Deçan, Kosovë, Podgoricë, Vladimir, etj.
Për më shumë se 5 shekuj (nga shek VII deri në fund të shek. XII), barbarët sllavë jo vetëm u ngulen në territoret iliro-arbnore duke trysnuar dhe zhvendosur jo rrallë banorët që jetonin në trojet e tyre etnike, por ndikuan drejtpërdrejtë në shkatërrimin e strukturave ndërtimore, duke rrënuar e shkatërruar kështjella e kala, madje dhe qytete të tera antike Ilire. Ndërtimet e shtëpive dhe e fshatrave të shumta u bënë duke prishur e zhdukur ndërtimet antike. Kështu u rrënuan qytetet antike të Xibrit, të Pelionit (Selcë e Poshtme), Dimali, Bylysi, Antipatrea, Amantia, Butrinti, Foinike, Adrianopol, Orikumi, Apolonia, pjesërisht Dyrrahu, Teranda, Ulpjana, Nishi, Uskana, pjesërisht Drivasti, etj. Në tërësinë e tij ishte një proces që pothuajse shkatërroi qytetet dhe kalatë ilire, bashke me to trashëgiminë më të rëndësishme dhe shume evidente të Qytetërimit Ilir.
II-Faza e Lindjes dhe lulëzimit të Principatave Arbnore Mesjetare (shek. XII- XV)
Përgjatë rreth tre shekujsh, lindën dhe u zhvilluan principatat Arbnore si: Principata e Arbërit, Balshajve, Blinishtët, Spanët, Dukagjinët, Kastriotët, Topiajt, Gropajt, Shpatajt e Zenebishët, Muzaka, Aranitët etj. Nëse shtresa më në thellësi e THEMELEVE TE BOTES ILIRO- ARBNORE- SHQIPTARE i përket periudhës nga Shek XII para Kr. deri ne shek. V mbas Kr. (Kultura Pellazgo- Ilire), periudha nga shek XII deri në shek. XV është koha e shtresës së dytë të madhe (kultura e Arbrit) e vendosur dhe e lidhur mirë me shtresën e parë të të njëjtit themel. Mbi këto themele tipikisht pjesë e Qytetërimit Europian, gjatë shekujve XII-XV nisi të ndërtohej “NGREHINA JONË”, këtu ne brigjet perëndimore te Gadishullit Ilirik (në kohen e pushtimit Osman e mori emrin Ballkan). Procesi i ndërtimit të kësaj “Ngrehine” përfshin procesin e shtetëformimit (Principatat Arbnore Mesjetare) dhe bashkë me të merr formë Fisnikëria e vendit, ndërtohen Kështjella e qendra banimi. Rriten si asnjëherë më parë (që në periudhën Iliro- Romake), shkëmbimet ekonomike- tregtare, politike, diplomatike, kulturore etj, me Republikën e Venedikut, Raguzës, Mbretërinë e Napolit, Vatikanin, dhe nëpërmjet tyre Arbëria lidhej me Europën. Në këtë kohë të “artë” Fisnikëria Arbnore luante rol shumë aktiv në rritjen e këtij komunikimi te gjithanshëm mes Perëndimit e Lindjes Europiane, deri në Rumani, “Bizantin e mbetur” e deri në Rusinë Jugore. Për nga niveli social-politik ekonomik e ushtarak kjo fisnikëri nuk ngelte mbrapa fisnikërisë europiane.
Kisha dhe feja e krishterë, si kudo në Europën Mesjetare, fillojnë të luajnë një rol përcaktues në jetën politike, shtetërore e diplomatike, sociale, kulturore e qytetërimore të Botës Arbënore Mesjetare, të paktën që nga shekulli XII deri në fundin e shekullin XV. Pikërisht gjatë kësaj periudhe ndërtohen kishat kryesore në të gjithë trojet etnike të arbëreshëve, nga Tivari në (Veri) në Prevezë në (jug) e nga Shkupi në (lindje) në Durrësi (perëndim).
III- Në periudhë e sundimit Osman (nga fundi shek XV deri ne v. 1912), u vendos regjimi Feudal Ushtarak, me fryme e ideologji Arabo- Aziatike. Kjo është periudha e procesit të deeuropianizimit të Botës Arbnore Shqiptare dhe e ndërprerjes së marrëdhënieve politike, ekonomike, shoqërore e kulturore me Europën ku ndodhen disa fenomene me pasoja shkatërruese si:
1-Genocidi masiv gjatë periudhës së “okupimit të rreptë” që zgjati rreth 70 vite (nga viti 1479 deri në vitin 1550). Gjate kësaj kohe u shtyp me zjarr e me hekur rezistenca për liri e arbëreshëve, duke shkaktuar vrasjen e dhjetëra mijërave vetë.
2-Për shkak të shfarosjes masive të popullsisë u provokua një eksod masiv duke përfshirë në radhe të parë aristokracinë arbnore dhe intelektuale e klerikë të ndritur, drejt Napolit, Dalmacisë, Venedikut, Padovës, deri në Spanjë, France, etj. Kjo dyndje biblike e arbëresheve bashkë me elitën e tyre krijoj boshllëk të pazëvendësueshëm, ndërsa në vendet ku mbërritën ata shkëlqyen duke dhënë mësim në universitetet më të famshme të Europës, duke spikatur në drejtim të fushatave luftarake, në art, etj.
3- Pas kësaj zbrazje të Arbërisë nga popullsia e saj, Perandoria u kujdes për “mbushjen” me kolonë që vinin nga Persia, Anadolli, (Konja), Egjipti, etj. Vendosja e kolonëve; zejtarë, ushtarakë, administratorë dhe e familjeve të tyre, duke sjellë njeherazi dhe kulturën e zakonin islamo -aziatik, ndodhi kryesisht në disa qendra politiko- administrative si: në Gjinokastër, Janinë, Berat, Elbasan, Kavajë, Tirane, Krujë, Shkoder, Prizren, Shkup, Gjakove, Manastir etj.
4-Reforma e Timarit në hapësirën tonë europiane, vulosi ne pjesën më të madhe në trojet etnike Arbënore-Shqiptare sundimin osman me karakter feudal-ushtarak. Kjo reforme kishte dy ane të medaljes:
A- Procesi i osmanizmit, i cili nënkuptonte dhënien e pronave dhe të ofiqeve të tjera personave e familjeve në bazë të kontributit në fushatat ushtarake e pushtuese të Perandorisë Osmane. Ky proces solli për krijimin e aristokracisë së re osmane (timarlitë, pashallarët dhe feudalë të tjerë më të vegjël), në vend të aristokracisë arbnore që tashmë nuk ekzistonte në Ballkanin Perëndimor.
B- Procesi i islamizimit synonte konvertimin e fesë nga e krishterë në muhamedane. Kjo realizohej duke përdor të gjitha format dhe mjetet. Në fillim feja islame depërtoi bashke me kolonët, ndërsa më vonë, deri ne shekullin e XX, ndodhi procesi i islamizimit të popullsisë tonë europiane të krishterë. Gjatë këtij procesi, në shekullin XVI e në vazhdim ndeshim në fenomenin e ndërtimit te xhamive (kryesisht në qytete). Gjithsesi mbeten disa treva të krishtera si: Kelmendi, Malësia e Madhe, Rrethinat e Gjakovës, Deçanit, Pejës, Klinës, Vitisë, Dukagjini, 7 Bajrakët e Pukës (Iballës), Kelmendi, Tivari, Mirdita, Lura, Zadrima, Kurbini, Ishmi, Shpati, Himara e Suli, Zagoria e Lunxhëria, etj.
5- Bashkë me procesin e osmanizmit dhe të islamizimit të vendit ndodhi procesi i ndërtimit të objekteve muhamedane të kultit (xhamive dhe të teqeve). Nga ana tjetër, u shkatërruan e u dogjën qindra kisha, ndërsa pjesa më e madhe duke humbur përdorimin për rrjedhojë dhe përkujdesje në ndaj tyre, degraduan dhe u rrënuan gradualisht. Kjo situate katastrofike e shkatërrimit barbar të institucioneve kishtare (katolike dhe më pak ortodokse), vihet re në të gjithë trevat shqiptare të islamizuara dhe është qartësisht e shprehur kudo, pranë varrezave të vjetra (rrënoja të kishave, si dhe nga toponimet e kishave), që janë me qindra e mijëra në këto hapësira, më tepër në Shqipërinë e Mesme, në Veri dhe Dardani (Kosovë e Maqedoni), por dhe në Jug kudo. Përveç shkatërrimit të kishave katolike për shkak të pushtimit osman, një fenomen shkatërrues i tyre kishte ndodhur dhe për shkak të trysnisë dhe invadimit sllavo-bizantin, veçanërisht në Deçan, Pejë, Gjakovë, Prizren, Maqedoninë Perendimore, Mal të Zi dhe më pak në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, në hapësirat etnike arbnore në Greqi etj. Është i vërtetuar shkatërrimi i kishave katolike dhe ndërtimi në ato themele i kishave ortodokse (në kohë të ndryshme historike).
6- Një rrethanë tjetër që ka të bëjë me shkatërrimin barbar të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve etnikë, lidhet me shkatërrimin e dhjetëra kështjellave mesjetare. Pas pushtimit, administrata dhe qeverisja pushtuese osmane u vendos në kala fushore, pasi duke qenë një shtet që sundonte pa rivalitetin e ndonjë shteti tjetër, nuk kishte arsye e nevojë të vendosej në kështjellat kryesisht malore nga ku ushtronin pushtetin e tyre princat dhe fisnikët e Arbërisë. Kjo konjukturë solli ndërtimin e kalave e qyteteve fushore dhe riparimin e rindërtimin e kalave ekzistuese fushore si: Elbasani, Tirana, Peqini, Kavaja, Shkodra, Gjakova, Paleokastra, Shkupi, Manastiri, Prizreni, Ferizaj, Janina, Konica, Libohova etj. Kështu ngelen jashtë përdorimit kështjellat, kryesisht në zonat kodrinore e malore të hapësirës shqiptare e për pasojë u bënë objekte prej të cilave merreshin gurë e materiale ndërtimi për shtëpi e objekte të reja, duke i shkatërruar plotësisht ose pjesërisht ato.
IV- Periudha e pas Pavarësisë Shqipërisë (1912 deri në vitet 1990).
Lëngata dhe “infeksioni aziatik” tek “vendalinjtë” e Ballkanit (shqiptarët) ishte ngulur thellë në trupin dhe në shpirtin e tyre. Kjo na vonoj aq shumë sa kur u kujtuan shqiptaret për pavarësi, Turqia, armiku 500 vjeçar i tyre s’kishte më fuqi të qëndronte dhe pothuajse “nuk ishte më ushtarakisht” në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa shfaqej armiku i para gati 800 viteve, sllavët e jugut (Serbet e Malazezët). Gjithsesi në 28 Nëntor 1912, shqiptarët me ndihmën e Austrisë dhe të Europës e SHBA, krijuan një realitet shtetëror në hapësirë mjaft të tkurrur, në raport me hapësirën dhe territoret etnike ku ata jetonin. Pjesën më të madhe e pushtuan sllavët (serbët, malazezët e maqedonët) dhe greket.
Në vitin 1999, me ndërhyrjen ushtarake të SHBA, çlirohet një pjese e rëndësishme e trojeve të pushtuara nga Serbia (Kosova dhe pjesërisht fitohen të drejta etnike të shqiptarëve në Maqedoni).
a-Duhet të pranojmë se që në momentet e para të Shqipërisë së pavarur nga Turqia, shqiptarët demonstrojnë vështirësi serioze për tu përshtatur me qytetërimin perëndimor, për “tu kthyer në shtëpinë e tyre të parë” në Europë. Që në fillim (1913), ngritën krye shqiptaret me frymëzim muhamedan e sulltanist të drejtuar nga Haxhi Qamilit kundër Princ Vidit dhe ndikimit politik e kulturor europian në Shqipëri. Gjatë veprimeve kryengritese u dogjën shtëpi, kisha të krishtera, flamuj kombëtar kuq e zi, pasuri publike e private. Ishte një kryengritje tipike barbare- konservatore, ku demonstrohej qartë fryma e tyre antieuropiane dhe pro islamike, aziatike e sulltaniste. Përpjekjet e shqiptarëve etnikë te ndihmuar nga Europa dështuan përballë shqiptarëve me fryme orientale aziatike.
b- Pas Luftës se Parë Botërore, kryeministri me Turhan Pashë Përmetin e disa pjesëtarë të Qeverisë së kryesuar nga Suleman Delvina nuk dinin as të shkruanin e të flisnin shqip (flisnin turqisht). Ndërsa edhe në “Periudhën e Zogut”, (1924-1939), megjithë përpjekjet e Mbretit për ti ngjare Europës nuk arriti dot ta shkëpusë Shqipërinë nga fryma dhe zakoni oriental i saj. Gjithsesi marrëdhëniet me Europen njohën nivel të lartë politik, diplomatik, ekonomik, kulturor , etj. Gjurmët e kësaj marrëdhënie shprehen në fushën e ndërtimit të qyteteve, urave, rrugëve, kryesisht me arkitekture italiane. Përveç ndikimit të perëndimit edhe gjatë kësaj periudhe nuk munguan ndërtime qendrash të reja banimi, duke u mbivendosur në rrënojat antike të qyteteve si në Durrës, Elbasan, Lezhë etj.
c- Në periudhës ë Shtetit Komunist (1944-1991), ndodhemi si zakonisht në një proces “ndërtimi mbi gërmadha”. U ndërtua pjesa më e madhe e Durrësit mbi gërmadhat e qytetit antik me hijerëndë të Adriatikut, Durrahut, duke e mbytur në pallate e beton, pothuajse 90% të sipërfaqes se tij. Po kështu, u dëmtuan objekte me rëndësi në qendrën e Tiranës (kisha katolike, në themelet e se cilës u ndërtua Hotel Peza, u shkatërrua kisha ortodokse etj,), Shkodrës, Elbasanit, Lezhës, Vlorës, Korçës etj. Po gjatë kësaj periudhe u shkatërruan masivisht objekte të kultit (më së shumti kisha katolike, me pak kisha ortodokse dhe pothuajse fare xhami). Po ashtu, u shemben dhe objekte, rezidenca të familjeve të mëdha si në Tiranë, Qafë Shtame, Orosh, Shkodër etj, objekte të cilat ishin pjesë e trashëgimisë kulturore, sepse mbartnin pjesë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.
Në trojet etnike jashtë Shqipërisë shtetërore, si Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Greqi, pushteti osman u zëvendësua nga pushtuesit sllavo- grek. Që në fund të vitit 1912 dhe gjatë Luftës së Parë, por dhe në fund të Luftës Dytë Botërore, deri në fundin e shek. XX (vitin 1999) pushtuesit ushtruan gjenocid, depërtim të popullsisë shqiptare jashtë trojeve të tyre, si dhe vendosje e kolonëve serbë, maqedonas, malazezë e grekë) ne territoret tona etnike. Ndërkohë në këto territore u zëvendësuan kisha katolike me ato ortodokse, etj. Kështu ka mbi 100 vjet që gjithsesi shqiptarët jetojnë mes pavarësisë e pushtimit, duke u qeverisur nga shqipfolës- misionarë të shteteve që nuk duan dhe punojnë që të mos bëhet Shqipëria.
V- Rënia e komunizmit
Rënia e Perandorisë Komuniste (1990), solli kushtet për fitoren e lirisë dhe të demokracisë së shqiptarëve. Gjithsesi edhe këtë herë shqiptarët, si në kohen e shembjes së Perandorisë Osmane u zgjuan më vonë për të përfituar nga epoka e re e lirisë. Një proces ku shënjohet qartë egoizmi dhe abuzimi i skajshëm me lirinë dhe fare pak përkushtim për të përfituar nga avantazhet që na jep liria dhe demokracia perëndimore. Në vend të ndërtimit të ekonomisë dhe institucioneve publike europiane, orjenti përsëri gjeti të çara të mëdha për të na “pushtuar” me institucionet e tyre shpirtërore dhe që vazhdojnë të investojnë si ekonomikisht, kulturualisht, politikisht etj.
a-Që në fillim të viteve ‘90 u ndërtuan me qindra xhami, në shumicën dërrmuese të tyre në vende ku s’kishte besimtarë për ti frekuentuar ato. Madje pati përpjekje për të ndërtuar xhami edhe në Mirditën e banuar tërësisht nga një popullsi katolike, një treve unike anti turke në Ballkanin Perëndimor. Po në këtë periudhë investohet nga shteti turk, por dhe nga fondacione të shumta islamike për hapjen e shkollave të mesme dhe të larta në gjuhen turke e arabe, duke promovuar e ngulitur tek rinia shqiptare kulturën dhe ideologjinë aziatike. Kohët e fundit qeveria erdoganiste turke e ka shprehur qarte ambicien e saj për neotomanizmin e Ballkanit, ku shqiptaret janë prioritet.
b- Natyrisht, suksesi i qeverise turke gjatë këtyre viteve është evident edhe në investimet publike, si në ndërtimin e arterieve kryesore rrugore ( Rrugën e Kombit, nga Rrësheni deri në Prishtinë, ka blere hidrocentralet e Ulzës, Shkopetit, Bistrica 1 e Bistrica 2, ka ndërtuar e po ndërton me koncesion hidrocentrale të tjera, ka blerë të vetmen vepër metalurgjike në Elbasan, po shfrytëzon zonën me të pasur mineral-mbajtëse në Munellë të Mirditës etj. Së fundmi Kryeministri Rama paralajmëroi dhënien me koncesion të ndërtimit të një Aeroporti në Vlorë.
Si konkluzion për periudhën pas viteve ‘90, elita politike gjatë qeverisjes, përveç një administrimi ekstremisht të dobët të resurseve ekonomike e turistike, ka dëmtuar rëndë trashëgiminë kulturore e historike të shqiptareve, nganjëherë duke ua kaluar në ketë aspekt edhe pushtuesve shekullore. Shembujt për fatin e keq gjenden rëndom kudo, në qytetet dhe në gjithë territorin e republikës tonë. Durrësi është shembulli me tipik i shkatërrimit dhe i varrosjes së dëshmive më spetakolare të Qytetërimit Antik Ilir, njëherësh i qytetërimit të Botës Antike. Është qytet të cilin nuk e kursen edhe “barbaria e shqipfolësve” të kohëve moderne. Betonizimi dhe mbytja e qytetit antik vazhdoi në kohën e Mbretërisë Zogiste, më shumë në periudhën komuniste dhe akoma më tepër në ketë periudhe tranzicioni gati 28- vjeçar në kohën ton. Po kështu, dëmtohet me tej Qendra Historike e Tiranes duke ndërtuar Kulla (kullat binjake, kulla në Stadiumin Kombëtar, së fundmi kullat në vendin ku është sot një nga ndërtesat, pjesë e ansamblit të ndërtimeve të një arkitekture italiane etj).
Së fundmi (jo nga rëndësia), pjesë themelore e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve janë fondet dokumentare, si pjesë e “Fondit Kombëtar Arkivor”. Edhe arkivat, si në Republikën e Shqipërisë, apo dhe në Kosovë, Mal të Zi etj, kanë pësuar në kohë të ndryshme dëmtime që përfaqësojnë në vetvete dëmtime serioze të Memories Kombëtare të Kombit Shqiptar.
Një aspekt i një reforme që ka përfshire Arkivat Shqiptare kohët e fundit, rrezikon të jetë pjesë e kësaj historie, që do të sillte pasoja të pariparueshme te Fondit Kombëtar Arkivor.
Deri kur shqiptarëve do t’u zihet fryma nga orienti, duke vijuar pa pushim dëmtimin dhe shkatërrimin barbar të trashëgimisë materiale e shpirtërore të shqiptarëve?
Shënim: Idetë e shprehura më sipër janë një konsideratë e përgjithshme e një procesi të gjatë asimilues e deeuropianizues që i ka ndodhur “Qytetërimit Iliro-arbnor- shqiptar” prej Barbarisë Lindore (nga shekulli VII deri në ditët tona). Në artikujt në vijim, sipas pjesëve dhe aspekteve që paraqitëm, do të detajojmë gjithë këtë proces duke hedhur drite me fakte e detaje akoma më të plota për secilën periudhë e drejtim.