Mesha e Pashkëve, Ipeshkvi i Kosovës “fut” 6 gylenistët në kishë
Nuk pritej që debati i shpërthyer në Kosovë mbi ndalimin dhe më pas deportimin e 6 gylenistëve, të përfshihej dhe në fjalimin e kremtimin e Pashkëve.
Ka qenë kreu i katolikëve në Kosovë, Dod Gjergji, i cili ka artikuluar fraza që ngacmojnë këtë çështje.
“E si duket, me atë çka kemi dëgjuar sot, ndoshta këta që kanë pre mikun në besë dje, nesër do të jenë të gatshëm ta dorëzojnë edhe kryeministrin”, tha Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji në meshën e Pashkëve.
Deklarata e klerikut është në sinkron me atë pjesë të opinionit në Kosovë, por përgjithësisht të asaj linje mediatike, e cila tek kundërshtimi i deportimit të të akuzuarve nga shteti i tyre, ai turk, kanë thirrur si argument dhe besën e shqiptarit. Pra, në gjykimin e tyre, ndalimi i të gjashtëve është dhe një prerje në besë.