9 kosovarë të lënduar nga rrokullisja e autobusit në Serbi
Nëntë kosovarë kanë mbetur të lënduar pasi autobusi me të cilin po udhëtonin është rrokullisur në afërsi të Kurshumlisë në Serbi.
Mediat serbe nga burime jo zyrtare shkruajnë se tre persona janë me lëndime serioze, por jashtë rrezikut për jetë.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 5 së mëngjesit kur autobusi për arsye ende të paqarta u kthye në korsinë e kundërt dhe pastaj doli nga rruga.
Autobusi me udhëtarë nga Kosova, po vinte nga Sllovenia.
Për këtë aksident pak çaste më parë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri ka thënë se do ta përcjellin gjendjen e të qytetarëve të përfshirë në këtë rast.
“Sapo u informova nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku, për aksidentin e autobusit në Serbi, me udhëtarë nga Kosova. Nga zotëri Sadiku u informova që dy udhëtarë janë hospitalizuar dhe janë jashtë rrezikut për jetë, kursë te tjerët nuk kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor. Do të vazhdojmë ta përcjellim në çdo moment gjendjen e qytetarëve tanë, por edhe të udhëtarëve tjerë”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.