Kush i ndezi flakët në Athinë? Dyshime për zjarrvënie të qëllimshme?
Më shumë se 50 persona kanë humbur jetën nga zjarri i nisur një ditë më parë në Athinë, rreth 150 kanë mbetur të lënduar e disa të tjerë janë zhdukur.
Vetëm në një vend pranë një restoranti në Mati të Atikës janë gjetur 26 trupa njerëzish të djegur, midis tyre edhe fëmijë, ndërsa 150 persona ndodhen në spital, 15 prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën.
Roja bregdetare njoftoi se ka shpëtuar më tepër se 700 persona nga plazhet e zonës së Rafinës. Gjatë orëve të natës në zonën Artemidhas u gjetën 4 persona të mbytur, ndërsa dëshmitarë okulare thanë se në ujë janë hedhur dhjetëra persona, fati i të cilëve është i pa ditur.
Por si nisi zjarri në Athinë?
Zyrtarët janë shprehur për AFP se dyshohet te kenë qenë zjarrvënësit që kërkojnë të plaçkitin shtëpitë e braktisura ata që kanë nisur tragjedinë.
Zjarret janë një problem i përsëritur në kryeqytetin grek dhe këtë herë flakët janë ndihmuar edhe nga erërat e forta.
Ndërkohë edhe ministri grek i Mbrojtjes Civile, Nikos Toskas ka deklaruar se zjarrvenia ka qenë e qëllimshme.
“Zjarret në zonën malore të Jeranias mund të jenë rezultat i zjarrvenies së qëllimshme dhe autoritetet po hetojnë”, theksoi ai.
“Këto zjarre janë të qëllimshme. Natën e kaluar ne patëm dy vatra, po në Jerania, që i vumë shumë shpejt nën kontroll. Sapo zjarri në Kineta u përhap, një tjetër zjarr shpërtheu pranë rafinerisë në Aspropirgos”, shtoi Toskas.