Ragmi Mustafa takon Pandeli Majkon dhe Sali Berishën
![](https://i0.wp.com/presheva.al/wp-content/uploads/2018/07/Pandeli-Majko-Sali-Berisha-Ragmi-Mustafa.jpg?resize=600%2C450&ssl=1)
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z. Ragmi Mustafa gjatë ditës së sotme qëndroi në Republikën e Shqipërisë ku zhvilloi takime me ministrin e shtetit për diasporë z. Pandeli Majko si dhe ish kryeministrin shqiptarë, deputetin Sali Berisha, të cilët kanë shprehur interesim që të njihen nga afër për ngjarjet e fundit në Luginë të Preshevës.
Kryetari Mustafa, nga afër i njoftoi për zhvillimet dhe ngjarjet e fundit në Luginë të Preshevës, me theks të veçantë për organizimin e Kuvendit të Këshilltarëve shqiptar të Luginës së Preshevës.
Ministri i shtetit për diasporë në qeverinë e Republikës së Shqipërisë z. Pandeli Majko i dha mbështetje e fuqishme aprovimit të Deklaratës politike nga ana e përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve në Komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Poashtu edhe në takimin me ish kryeministrin shqiptarë dhe deputetin aktual të Partisë Demokratike z. Sali Berisha u sigurua mbështetje e plotë lidhur me kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të shprehura përmes Deklaratës politike të aprovuar në seancën e Kuvendit të Këshilltarëve shqiptar të Luginës së Preshevës më, 14 korrik 2018.
Në të dy takimet u konstatua se zgjidhja e statusit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës ndikon në normalizimin e mirëfilltë të raporteve në mes shqiptarëve dhe serbëve në përgjithësi si dhe Beogradit dhe Prishtinës në veçanti.
20 korrik 2018
Shërbimi për informim i PDSH-së