Raundi i ri i bisedimeve Kosovë–Serbi: Ja çfarë pritet të ndodhë sot
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ndërmjetëson të mërkurën raundin e ri të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një njoftim të zyrës së saj thuhet se në takimin ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të shqyrtohet përparimi në diskutimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve si dhe për planet dhe hapat e ardhshëm për t’u siguruar se puna do të vazhdojë më një ritëm të përshpejtuar.
Muajin e kaluar të dyja palët ishin pajtuar “të intensifikojnë punën në javët në vazhdim”, në kërkim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve, që është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje.
Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një “kompromis”, por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai.
Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t’i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë nga Prishtina.
Të martën, presidenti francez, Emmanuel Macron, i tha presidentit serb Aleksandër Vuçiç se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian varet nga reformat e brendshme dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po shoqërohet në Bruksel nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, të cilët do të takohen me zonjën Mogherini në një lëvizje që synon të konfirmojë mbështetjen bisedimeve.
Por, opozita në Kosovë thotë se institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet për të udhëhequr bisedimet.(voa)