Lajme

Apel: Paguani borxhin ndaj Moravicës

APEL

Të nderuar qytetarë të komunës së Preshevës!
Në kuadër të aktivitetit të përditshëm, Ndërmarrja publike “Moravica” përkujdeset për higjenën Tuaj, furnizimin me ujë të pijshëm, mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimit fekal dhe hapësirave publike në territorin e komunës sonë.

Gjendemi në fazën kur niveli i shërbimeve tona ndaj jush duhet të ngritet në standarde më të larta, në mënyrë që shërbimet tona ndaj jush të jenë edhe më kualitative. Për këtë gjë, ne jemi mëse të interesuar.

Gjendja momentale për funksionimin normal të Ndërmarrjes sonë, n’a kufizon që t’i kryejmë edhe këto shërbimet momentale ndaj Jush, për shkak të vështirësive financiare në funksionimin e përditshëm dhe obligimeve të mëdha në nivel mujor të cilat ne i kemi si Ndërmarrje.

Në anën tjetër, për shërbimet e ofruara ndaj qytetarëve tanë dhe subjekteve juridike, në bazë të evidencave tona, janë grumbulluar borxhe në shumën prej mbi 87 milion dinarësh, shumë kjo e grumbulluar ndër vite. Përveç këtij borxhi, me rastin e faturimit të shërbimeve tona ndaj Jush, rregullisht kemi paguar TVSH-në në shumë prej 10%, që paraqet ngarkesë shtesë për Ndërmarrjen tonë.

Këshilli mbikëqyrës i Ndërmarrjes Publike “Moravica” në mbledhjen e mbajtur më datë 01.02.2018, ka konstatuar shumën e borxhit që i detyrohen Ndërmarrjes sonë dhe si masë për daljen nga kjo situatë, ka marrë Vendimin që:
* Borxhi i grumbulluar deri më datën 31.08.2017 në shumë prej 15.000 – 30.000 dinarësh, t’i falen borxhlinjëve në masën 30%
* Borxhi i grumbulluar deri më datën 31.08.2017 mbi shumën prej 30.000 dinarësh, t’i falen borxhlinjëve në masën 50%
* Borxhi i grumbulluar nga data 01.09.2017 deri më sot, duhet të shlyhet në tërësi.

Apelojmë të gjithë qytetarët që kanë borxhe të pa shlyera ndaj Ndërmarrjes “Moravica”, që në afat prej 8 ditësh, gjegjësisht më së voni deri ditën e premte, datë 17 gusht 2018, t’i shlyejnë borxhet e tyre, në të kundërtën ndaj tyre do të merren masa ligjore.
Në anën tjetër, falënderojmë qytetarët (konsumatorë tanë) që shlyejnë rregullisht obligimet ndaj Ndërmarrjes “Moravica”.

Me respekt,
Në Preshevë, Për NP Moravica ZIHNI KAMBERI
Më 09.08.2018.

Related Articles

Back to top button