Po flitet gjoja për marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë, madje edhe për ‘korrigjimin e kufijve”. (Baca i vet!)
Por a është e mundshme ndonjë marrëveshje? Marrëveshje me kend? Marrëveshje nga kush? Ndiqeni n’daçit me e marrë vesh të vërtetën, e keni si të vizatuar.
MARRËVESHJE ME KEND:
1. Marrëveshje me Vuçiqin e Daçiqin, me dy gebelsat e Millosheviqit? (Nuk është e mundur!)
2. Marrëveshje me Irinejin, i cili përsëritë si papagall se Kosova është “Jerusalemi serb.” (Nuk është e mundur!)
3. Marrëveshje me Listën serbe, e cila nuk e njeh fare shtetin e Kosovës? (Nuk është e mundur!)
4.Marrëveshje të sponsorizuar edhe nga Rusia, e cila pati hyrë me tanke më 11 qershor 1999 në Prishtinë? (Nuk është e mundur!)
5. Marrëveshje me BE-në, e cila nuk e njeh ende Kosovën si shtet? (Nuk është mundur!)
6. Marrëveshje e pranuar nga Trampi, për të cilin ende nuk dihet saktë se kush e ka bërë president, populli amerikan apo Rusia? (Nuk është e mundur!) Pra, mbetet vetëm statu quoja, e cila i bën dëm Serbisë shumë më shumë se sa ne.
MARRËVESHJE NGA KUSH:
1.Marrëveshje nga një president që nuk është zgjedhur direkt nga populli dhe i cili nuk pranohet si faktor uniteti (Nuk është e mundur!)
2. Marrëveshje nga një kuvend, ku ende mund të ndihet era e gazit lotësjellës dhe ku ende në vend të mirëmëngjesit, dëgjohen sharje? (Nuk është e mundur!)
3. Marrëveshje nga një qeveri e cila nuk e ka shumicën në Kuvend? (Nuk është e mundur!)
4. Marrëveshje nga një shtet i cili nuk e kontrollon territorin për të cilin negocion? (Nuk është e mundur!) 5.Marrëveshje nga liderë të kërcënuar me Gjykatë Speciale? (Nuk është e mundur!) Pra, mbetet vetëm statu quoja, e cila i bën dëm Serbisë shumë më shumë se sa ne.
Milazim Krasniqi – analist