“Arratisja e Ismail Qemalit dhe 3 djemve të tij nga Turqia”
Gazeta franceze “Le Constitutionnel” ka botuar të premten e 4 majit 1900, një shkrim në lidhje me arratisjen e Ismail Qemalit dhe tre djemve të tij nga Turqia.
Atdhetari shqiptar, i emëruar nga sulltani në postin e Valit në Tripoli, kishte planifikuar të udhëtonte drejt këtij destinacioni nëpërmjet anijes “Fuad”, por gjithçka ka ndodhur ndryshe.
Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë mbi planin e arratisjes së patriotit shqiptar, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja:
Arratisja e Ismail Qemal Beut vazhdon të jetë objekt i të gjitha komenteve.
Ndryshe nga ajo që u tha më parë, Ismail Qemali, pasi u largua nga “Yildiz Kiosk”, nuk hyri në bordin e “Fuadit”, i cili do ta çonte atë në Tripoli, nga ku do të nisej natën. Ismail Qemali, duke dalë nga “Yildiz Kiosk”, hyri fare thjeshtë në luftanijen angleze “Salamander”, me tre djemtë e tij, dhe kërkoi strehim që iu akordua menjëherë.
Ambasada angleze informoi Portën e Lartë për atë që kishte ndodhur dhe e paralajmëroi se Ismail Qemali dëshironte të strehohej jashtë vendit për të jetuar tashmë atje. Sulltani ishte shumë i habitur dhe u përgjigj se Ismail Qemali, sipas dëshirës së tij, mund të shkonte, ose në postin e tij në Tripoli, ose të largohej jashtë vendit.
Ismail Qemali dhe tre djemtë e tij u larguan sot nga “Salamanderi” për tu nisur me një avullore (anije me avull) të Kompanisë “Rubattini”, e cila do t’i çojë ata në Marsejë.
Ismail Qemali ka reputacionin e një njeriu të drejtë dhe të kthjellët: vendimi që ai ka marrë, për të braktisur vendin e tij, tregon qartësisht se ai e konsideron të pamundur jetesën e çdo individi inteligjent në Turqi.Blogu DARS