Nëse në Bruksel hapet tema e ndarjes së Kosovës, Haradinaj tregon çka do të ndodh
Ndonëse në opinionin publik, ndarja e Kosovë, gjegjësisht shkëmbimi i territoreve Kosovë Serbi, është përfolur me tone të larta, një gjë të tillë po e mohon kategorikisht kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.
I pari i Qeverisë po insiston se çdo tendencë për ndryshim të kufijve, është luftë dhe se këtë nuk e do askush.
Në një interviste për Gazeten Blic, kryeministri Haradinaj ka thënë se vetëm me fol për këtë ndarje është rrezik, e jo të mendohet si opsion.
E nëse kjo temë hapet në Bruksel, Haradinaj ka thënë se kjo nënkupton luftë, dhe se këtë duhet ta dinë të gjithë në Ballkan.
“Loja me territore është luftë, lëvizja me kufi është luftë në Ballkan, dhe atë duhet ta dinë gjithë. Ne jemi shpallë të pavarur me këtë territor, lufta e fundit që është mbyll e ka vendos këtë gjendje. Hapja për diskutim e kësaj gjendje, pra e Kosovës me tërësinë territorial, me flamurin që ka, me hartën që ka paraparë gjithë territorin, është luftë. Është rikthim në të kaluarën, i tragjedive të kalumes, dhe unë jam kundër kësaj, e kam thanë dhe e them vazhdimisht se nuk luhet me territore. Nuk besoj që dikush dëshiron me i kthy tragjeditë e të kalumes, luftat e të kalumes në Ballkan dhe s’besoj që ka të tillë. Unë e përsërisë kjo është thirrje e gabume, është e rrezikshme, veç me fol është e rrezikshme le ma mendu në këto tema,” – ka thënë shefi i kabinetit.
I gjithë debati për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë, ka ardhë pas paralajmërimit të presidentit të vendit Hashim Thaçi se në fazën finale të dialogut do të ketë kompromise.
Edhe më shumë, kjo temë u aktualizua kur ambasadori amerikan Greg Delawie, mbajti një qëndrim neutral ndaj kësaj mundësie, duke mos insistuar në mos hapjen e kësaj teme, por duke ua lënë në dorë palëve dialoguese.