Nëse në pijen tuaj bie një mizë
Ushqimi i infektuar nga insektet Në dy Sahih-ët shënohet se Ebu Hurejra ka treguar që Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Nëse në pijen tuaj bie një mizë, së pari zhyteni në të, pastaj hiqeni, sepse njëri nga krahët e saj bart sëmundjen, ndërsa krahu tjetër ilaçin e sëmundjes.”
Edhe në Sunen-in e Ibn Maxhes gjendet një hadith i ngjashëm, sipas të cilit Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Njëri nga krahët e mizës bart helmin, kurse tjetri bart ilaçin. Kështu, nëse ajo ju bie në ushqim, zhyteni njëherë, për hir të Allahut, se vërtet Ai bën helmin së pari, pastaj bën ilaçin.”
Ky hadith ka dy vlera të rëndësishme: njëra në fushën e fikh-ut, ndërsa tjetra në fushën e mjekësisë. Sa i përket të parit, hadithi pohon se kur miza bie në një lëng, ajo nuk e bën lëngun të papastër. Të gjithë dijetarët e hershëm janë pajtuar me këtë qëndrim.
Pejgamberi (s.a.u.s.) ka këshilluar që kandrra të zhytet në ushqim para se të nxirret prej andej, me qëllim që ajo të ngordhë, sidomos kur ushqimi është i nxehtë. Nëse miza e ngordhur do ta bënte ushqimin të papastër, Pejgamberi (s.a.u.s.) do na urdhëronte që ta flaknim ushqimin. Në të kundërt, ai (s.a.u.s.) deshi që ushqimi të ruhej.
Ky gjykim përfshin gjithashtu bletët, grerëzat, merimangat dhe tërë kandrrat e ngjashme, pasi rregulli që rrjedh nga urdhri i Profetit (s.a.u.s.) është gjithëpërfshirës. Duke qenë se arsyeja që kafshët e ngordhura quhen „të papastra‟ është se gjaku i tyre mbetet në trup kur ngordhin, atëherë këto insekte, të cilat nuk kanë gjak, janë të pastra. I pari që tha: “…ato që nuk kanë shpirt (duke nënkuptuar gjakun)” ishte Ibrahim El Nahi, e më pas edhe dijetarët e tjerë.
Ata që mendojnë se eshtrat e kafshëve të ngordhura janë të pastra, e përforcojnë edhe më shumë mendimin që këto insekte të mos gjykohen si të papastra. Ata arsyetojnë duke thënë: Kafshët e ngordhura kanë gjak dhe lagështi, të cilat mund të gjenden edhe në kockat e tyre. Kësisoj, nëse i konsiderojmë kockat e tyre si të pastra, atëherë insektet, të cilat nuk kanë të tilla substanca, pra, gjak të rrjedhshëm dhe lagështi, është më parësore që të konsiderohen të pastra.
Sa i përket vlerës mjekësore të hadithit, Ebu Ubejdi thotë se zhytja e mizës para se të nxirret nga lëngu bëhet që, në këtë mënyrë, të nxirret ilaçi (nga krahu tjetër), ashtu siç doli toksina nga krahu i parë që ra në lëng.
Mizat e shtëpisë bartin lëndë helmuese, siç e tregon këtë efekti i pickimit të tyre, me puçrra ose infeksione, dhe ky helm është arma mbrojtëse e mizave. Kur miza bie në një vend që e lëndon atë, ajo përpiqet të vetëmbrohet me “armën” e saj. E kështu, Pejgamberi (s.a.u.s.) na urdhëroi që ta neutralizojmë lëndën helmuese të prodhuar nga miza me ilaçin që Allahu e ka vënë në krahun tjetër të saj. Për këtë, miza duhet të zhytet e tëra në ushqim ose lëng, në mënyrë që ilaçi të asnjanësojë efektin e helmit.