Serbia po zhduket, këtë vit do të ketë më pak se 7 milion banorë
Të dhënat e Entit Republikan për Statistika të Serbisë tregojnë se Serbia sivjet për herë të parë do të ketë më pak se 7 milionë banorë. Kështu ky komb po plaket, dhe tash e tutje serbët do të thonë se kanë “gjashtë e diçka milionë banorë”, shkruan gazeta serbe Telegraf.
Të dhënat aktuale të vlerësuar mbi numrin e banorëve, flasin se Serbia më 1 janar 2018 ka pasur 7.001.444 banorë.
“Rezultatet përfundimtare mbi numrin e banorëve për vitin 2018 (30.06.23018) të cilat do të publikohen në vitin 2019, do të jenë nën 7 milionë. Numri i vlerësuar i banorëve llogaritet ashtu që në të dhënat e regjistrimit shtohet rritja natyrale, si diferencë në mes të të lindurve të gjallë dhe të vdekurve në nivelin vjetor”, pretendon gazeta.
Vetëm në mes të dy regjistrimeve prej vitit 2002 deri 2011 Serbia ka humbur 377.335 banorë, gjë që është më tepër se gjithë banorët e qytetit të Novi Sadit. Sipas regjistrimit të vitit 2002 Serbia ka pasur 7.498.001 banorë, derisa nëntë vjet më vonë ka pasur 7.120.666 banorë.