Lajme

Shqiprim Arifi jep një mesazh për të gjithë

Dashamirës,

Në intervale ditore pranoj letra brengosje nga ju, lidhur me propagandat dhe konspiracionet e ndryshme me kërkesë që unë të reagoj ndaj tyre. Jemi duke jetuar në rrethana të jashtëzakonshme dhe situata sfiduese, veçanarisht ne shqiptarët e Luginës së Preshevës, pasi një aleancë destruktive ka krijuar hapësira publike duke bastarduar kulturën, parimet dhe vlerat e shëndosha në shoqërinë tonë; në favor të ambicjeve financiare dhe agjendës së tyre politike dhe antikombëtare. Janë këto plagë të rënda të shoqërisë sonë.

Ne i kemi të evidentuar konspiracionet nga moçalet zhytese lokale lidhur me stabilitetin e pushtetit në Komunën e Preshevës, gjithashtu më janë të njohura pothuajse të gjitha njollosjet, shantazhat, së bashku me mjetet dhe insinuatat të tjera propagandistike ndaj personalitetit tim si dhe familjes sime.

Nuk kërkoj nga ju aspak të brengoseni, nuk kërkoj as lëmosh dhe as justifikime. Duhet të keni parasysh se shantazhet, propagandat dhe të gjitha mjetet anticivilizuese ndaj meje janë një sakrificë që paguaj unë dhe familja ime që nga kyçja politike para tri viteve. Qysh në fillim të rrugëtimit tim politike jam përballur me kultura politike enveriste dhe despotike të cilat merren dhe atakojn anëtarët e familjes. Por kjo aspak nuk më ka larguar nga vizioni im për një Preshevë më të mirë dhe realizimin e aspiratave të kahmotshme të shqiptarëve të kësaj ane.

Në prag të bisedimeve Kosovë-Serbi, ku shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë parashtruar kërkesat legjitime, janë vërejtur intensifikime të propangadave ndaj politikës sonë nga persona të vetëquajtur gazetarë dhe mekanizmave tyre të ashtuquajtura “Portale”. Qëndrimin dhe antipatinë time ndaj disa personave mediokër në lëminë e tyre gazetareske nuk e kam mohuar kurrë. Gjithashtu kam vlerësuar se disa prej tyre janë pjesë e një krijese komplotiste antishqiptare, të kamufluar si “portale” janë siluetë, bedel dhe kopje e “Sputnik-ut” rus. Po të funksiononte shteti i së drejtës dhe mekanizmat kundër intelegjencës, një pjesë e tyre duhej të regjistroheshin si agjentë për mbrojtjen e interesave të huaja (jo-shqiptare). Rrjedhimisht ndaj tyre nuk kam pasur respektin më të vogël, pasi etika e tyre gazetareske peshohet me Euro. Disa prej “cipiripave medial” të daluara nga linjat prodhuese nga brendia e Serbisë, të tillë antikombëtarë, islamofob, të inkriminuar dhe anti mërgatës shqiptare, që shantazhojn gjithashtu në rrjetet sociale, janë në mbështjetje servile të agjendës së tyre të politikës totaliste dhe autokrate. Prandaj në këto suaza nuk kam parë të arsyeshme të reagoj, pasi e vërteta është gjithmonë deficiti tyre.

Çka kërkoj unë tani nga ju? Vetëm pak durim dhe kjo do të ishte mbështetja më e madhe për mua. Meqë angazhimi dhe puna si gjithmonë mbyll gojërat e palara dhe satelitat e “Sputnik-ut” rus! Tani për çka të reagoj unë?

Preshevë, 19.09.2018

Shqiprim Arifi

Kryetar i Komunës së Preshevës.

Related Articles

Back to top button