Thaçi: Beogradi nuk e sheh të dobishme vizitën time në Luginën e Preshevës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se ka marrë ftesën e liderëve të Luginës së Preshevës për të vizituar Preshevën, Medvegjën e Bujanocin.
Ai në një konferencë të përbashkët me mediat me liderët e Luginës së Preshevës theksoi se Beogradi nuk e sheh të dobishme vizitën e tij në Luginë.
“Kur e kam vizituar Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, nuk e kam vizituar me leje të Serbisë, por kam qenë aty me kauzën tonë për të drejta të shqiptarëve. Tash jemi në një rrethanë tjetër. Ju e dini se unë jam i dënuar në mungesë nga Serbia. Unë nuk e kam kërkuar atë falje. Unë nuk mund të marr kufijtë për ballafaqim fizik me Serbinë. Kur ka qenë koha, e ballafaqimit ia kam treguar vendin me bashkëluftëtarët e mi. Mua më ftuan ta vizitojë Luginën e Preshevës, por rrethanat janë të ndryshe, Beogradi nuk e sheh të dobishme vizitën atje”, tha Thaçi.
Ai shtoi se Kosova nuk e ka vetëm presidentin që nuk mund të vizitojë Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, teksa ka ftuar ata që mund ta vizitojnë që të shkojnë sa më shpesh që të munden.
“Mendoj se disa liderë duhet të shkojnë, ata që mund të shkojnë. Unë do t’i përshëndes…Vendimi përfundimtar për marrëveshjen Kosovë-Serbi do të jetë i konsoliduar edhe me përfaqësues të Luginës së Preshevës”, tha presidenti Thaçi.
Ndërsa Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës, ritheksoi dëshirën e qytetarëve të Luginës së Prishtinës që të kenë në vizitë presidentin e Kosovës.
“Nëse duhet edhe të kërkoni leje nga Serbia, tek e fundit, është e rëndësishme që t’u kemi aty. Besoj që është një kërkesë legjitime dhe jeni i mirëseardhur”, tha ai.