Thaçi mesazh ‘skeptikëve’ të korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi: Po ndjellni frikë të paqëndrueshme
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka sqaruar mundësinë e korrigjimit të kufirit dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
I pari i vendit përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë nga “skeptikët” janë bërë bashkë dhe po e kundërshtojnë idenë e korrigjimit kështu duke ngritur shqetësime të paqëndrueshme.
“Me lehtësi përhapin frikë për gjoja destabilizim të rajonit dhe thellim të ndarjes etnike në Ballkan. Krijojnë panik dhe mjegull duke i trilluar të njëjtat argumente, njësoj sikurse në prag të shpalljes së pavarësisë”, është shprehur Thaçi.
Ai ka shkruar se marrëveshja paqësore e bazuar në korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në rast se arrihet, do të jetë krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
“Një marrëveshje e tillë, Kosovës i siguron njohjen formale nga Serbia dhe bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, si dhe i hapë rrugë të sigurt për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB. Marrëveshja paqësore e forcon stabilitetin duke mbyllur vatrën e fundit të konfliktit në Ballkan”, ka shkruar Thaçi.
Kreu i vendit siguroi se nuk do të ketë korrigjim të kufirit përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë eksod të popullsisë dhe as efekt domino.
“Për më tepër, kjo marrëveshje paqësore do të vendosë një gur të rëndë mbi të ashtuquajturën “Kuti e Pandorës”, e cila këto ditë po përfolët me shumë pasion. E nëse dikush patjetër argumenton dhe i referohet një marrëveshjeje eventuale të korrigjimit paqësor të kufirit si precedent, atëherë ky rast vërtet do të mund të përdoret në të ardhmen si një precedent pozitiv i domosdoshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërshtetërore vetëm në mënyrë paqësore dhe jo me luftë”, ka shkruar Thaçi.