Thaçi nuk do e vizitojë Luginën e Preshevës
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se nuk ka bërë kërkesë në institucionet e Serbisë për ta vizituar Luginën e Preshevës pasi siç tha ai e di përgjigjen, njofton Klan Kosova.
Ai në një konferencë të përbashkët për media me përfaqësuesit e Luginës ka njoftuar se këta të fundit i kanë bërë një ftesë për vizitë edhe gjatë takimit të sotëm.
Kreu i shtetit njëherit ka përmendur edhe arsyet se pse nuk mund ta vizitojë Preshevën.
“E dini që jam i dënuar me mungesë nga Serbia. Rrethanat janë të tilla që Beogradi nuk e sheh të arsyeshme, të dobishme këtë vizitë. Dua t`i vizitojë, dua ‘t’i shoh, të shkojë shtëpitë e tyre, të bisedojë e di që kanë halle shqetësime, është komuniteti më i diskriminuar në Evropë”.
Mes tjerash, Thaçi ka thënë se ka edhe krerë të tjerë institucionesh që janë të dënuar e të ndjekur nga Serbia për shkak të luftës.
I pari i Kosovës në këtë konferencë njëherit ka ftuar të gjithë ata që mund ta vizitojnë Luginën përfshirë deputetë ta bëjnë një gjë të tillë më shpesh.
“Ka plot deputetë që mund të shkojnë lirisht.Mendoj se disa liderë duhet të shkojnë, ata që mund të shkojnë do t’i përshëndesja”, ka shtuar ai, njofton Klan Kosova.