Vuçiç: Nuk e dimë ku i kemi kufijtë me Kosovën!
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se çdo marrëveshje me Kosovën, për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes dy vendeve, duhet t’i garantojë vendit të tij anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Nëse ndonjëherë arrijmë marrëveshje me Kosovën, Serbia duhet ta ketë të sigurt se do të bëhet anëtare e BE-së më 2025”, ka thënë Vuçiç në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters më 13 shtator.
Bashkimi Evropian ka thënë disa herë se normalizimi i marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, është element kyç për t’u bërë pjesë e bllokut evropian. Presidenti serb ka thënë ndër të tjera se arritja e marrëveshjes mund të zgjasë deri në 10 vjet, për shkak të dallimeve mes palëve.
“Ndonjëherë qesh kur dëgjoj njerëzit si i bëjnë gjërat të lehta dhe thonë se, unë do t’iu jap juve tri fshatra dhe unë do t’iu jap gjashtë të tjerë në këmbim”, është shprehur ai. Me këtë deklaratë ai u është referuar diskutimeve të fundit për ndryshim kufijsh në mes të dy shteteve. “Nëse ndonjëherë do të arrijmë marrëveshje, do të ishte një pakt që nuk do të përfshijë vetëm marrëdhëniet mes nesh dhe shqiptarëve në Kosovë, por edhe rezolutën për rrugën drejt BE-së dhe zhvillimin e ardhshëm ekonomik”, ka thënë ai.
“Tani për tani, ne nuk e dimë ku i kemi kufijtë”, është shprehur Vuçiç. “Askush në rajon nuk duhet të jetë i frikësuar nga arritja e ndonjë marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, rajoni do të jetë më stabël, më i fuqishëm dhe më atraktiv”, është shprehur ai. Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, synojnë arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese për të dyja palët.
Takimi i fundit në mes të dy presidentëve në Bruksel, atij të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiç, ka dështuar të mbahet, pasi ky i fundit ka refuzuar të takojë delegacionin nga Kosova.