Sport

“Babai punonte në rrugë, ndërsa nëna pastruese” , rrëfimi i Shaqirit, që të përlot

Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka janë emrat më të përfolur në Kupën e Botës që nga dita e premte. Dyshja me prejardhje nga Kosova, kanë shënuar golat më të rëndësishëm në karrierën e tij, duke i dhuruar Zvicrës një fitore emocionale ndaj Serbisë në Kupën e Botës me rezultat 2:1.

Shaqiri dhe Xhaka të përfshirë nga emocionet, nuk ngurruan duke festuar me simbolin e shqiptarëve, shqiponjën.

Ky festim ka hapur debat të mëdha, ndërsa kundër kësaj feste FIFA ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj Xhakës dhe Shaqirit, dhe një vendim përfundimtar do të merret nesër.

Ndersa të gjithë jemi në pritje të këtij vendimi, Xherdan Shaqiri ka risjellë rrëfimin më emocionues për jetën e tij, treguar për ‘Players Tribune’.

Këtë rrëfim ku përmendet edhe lufta e Kosovës, mund ta lexoni në gjuhën shqipe në pjesën e mëposhtme.

Më poshtë rrëfimi i plotë i Shaqirit në Players Tribune:

Shtëpia jonë nuk kishte ngrohje. Vetëm një oxhak të madh. Ishte një shtëpi shumë, shumë e vjetër në një fermë në Basel, dhe kështu ishte. As nuk mendoja për këtë. E mbaja veten të ngrohtë, duke vrapuar si i çmendur”.

Vëllai im më i madh ishte ai, i cili gjithmonë ankohej për të ftohtët, sepse dhoma e tij ishte larg vatrës së zjarrit. Atij i duhej të flinte me rreth pesë batanije gjatë dimrit”.

Familja ime ishte larguar nga Kosova para se të fillonte lufta, kur isha katër vjeçar, dhe provuan të bëjnë një jetë në Zvicër, me mua dhe dy vëllezërit e mi. Nuk ishte e lehtë. Babai im nuk fliste gjuhën gjermane, kështu që iu desh të fillonte të lajë enët në një restorant”.

Më vonë ai gjeti një punë në ndërtim të rrugëve. Nëna ime punonte si pastruese në ndërtesa zyrash në qytet (unë isha ndihmësi i saj me fshesë elektrike, vëllezërit e mi pastronin dritaret).

Zvicra është shumë e shtrenjtë për këdo, por ishte veçanërisht e vështirë për prindërit e mi, sepse ata po u dërgonin shumë para anëtarëve të familjes, që ishin ende në Kosovë. Në fillim, mund të udhëtonim që t’i shihnim ata çdo vit. Por, kur lufta filloi, ishte e pamundur të riktheheshim, dhe gjërat ishin shumë të vështira për anëtarët e familjes që kishin ngecur aty. Shtëpia e xhaxhait ishte djegur krejtësisht dhe kishte shumë vuajtje. Babai im po u dërgonte aq para sa mundej, kështu që, kur unë po rritesha, nuk patëm asnjëherë para shtesë për të shpenzuar, ndoshta me përjashtim të ndonjë diçkaje për ditëlindje.

Një histori interesante, Ronaldo ishte idhulli im. Ronaldo origjinal. Mënyra se si luante, ishte si një magji për mua. Gjatë finales së Botërorit 1998, kur ai u lëndua dhe Brazili u mposht nga Franca, unë po qaja pafundësisht, sepse isha shumë i pikëlluar për të. Ditëlindja ime e shtatë ishte tre muaj pas Botërorit dhe po i thoja nënës time vazhdimisht për tre muaj: “E gjitha çfarë dua për ditëlindje është fanella e verdhë e Ronaldos. Të lutem, vetëm më blej këtë fanellë”.

Kështu që ditëlindja ime vjen dhe nëna ime ka vetëm një kuti për mua. E hapi atë dhe ishte fanella me ngjyrë të verdhë e Ronaldos. Vetëm se ishte një prej atyre fanellave false, që i blenin në markete. Nuk mendoj se kishte ndonjë logo në të. Ishte vetëm një fanellë me ngjyrë të verdhë dhe një numër 9 me ngjyrë të gjelbër. Prindërit e mi nuk kishin para të blenin një të vërtetë, por kjo nuk kishte rëndësi për mua. Ishte ndoshta dita më e lumtur e jetës time. E mbaja të veshur për pothuaj 10 ditë, kisha edhe një palë “shorce” ngjyrë të verdhë, që i vishja së bashku me këtë fanellë.

Isha ndoshta i vetmi fëmijë emigrant në shkollën time dhe nuk mendoj se fëmijët zviceranë kuptonin pse isha kaq i fiksuar me futbollin. Në Zvicër, futbolli është thjesht një sport. Nuk është jetë, siç është në disa vende të tjera. E mbaj mend, katër vite më vonë, kur Ronaldo u paraqit në Kupën e Botës me atë stil të flokëve, shkova te berberi dhe i thashë: Më bëj prerjen si Ronaldo. Por, atëherë unë kisha flokë të bardha dhe kaçurrela, kështu që ishte çmenduri. Shkova në shkollë dhe të gjithë fëmijët po më shikonin skur të mendonin çfarë ka ndodhur me këtë djalë, çfarë dreqin ka bërë.

Kjo nuk më pengonte aspak. Isha thjesht vetja. Shkolla ime ishte në pjesën e mirë të qytetit, por shtëpia ishte vetëm pesë minuta ecje nga pjesa shumë e keqe e qytetit dhe këtu ishte pjesa ku luhej futbolli i mirë. Nëna ime më lutej që të mos shkoja, por unë shkoja aty çdo ditë pas shkollës për të luajtur. E di se njerëzit mendojnë që Zvicra është e gjitha e mirë, dhe pjesa më e madhe e saj është, por në këtë park ishte çmenduri. Të gjitha ekipet ishin si Kombet e Bashkuara. Kishte turq, afrikanë, shqiptarë, serbë, gjithçka. Dhe nuk ishte vetëm futboll, të gjithë po kalonin kohë aty, kështu që kishte njerëz që dëgjonin hip-hop gjerman, fëmijë që po bënin “freestyle”, vajza që po ecnin në fushë derisa po luhej ndeshja.

Futbolli ishte futboll i vërtetë. Për shembull, djemtë po grushtoheshin gjatë gjithë kohës. Unë nuk u grushtova kurrë, sepse gjithmonë e mbaja gojën e mbyllur. Por të luaja në atë park më ndihmoi me të vërtetë, sepse isha një djalosh i vogël dhe mësova si të luaja me burra, të cilët nuk po bënin shaka. Kur isha 14 vjeç, po luaja për të rinjtë e FC Baselit, patëm rastin që të luanim në “Nike Cup” në Pragë. Problemi ishte se më duhej të humbisja disa ditë nga shkolla dhe, kur e pyeta mësuesin tim, ai tha “jo”. Në Zvicër, mësuesit janë shumë serioz për shkollën. Mendova, dreqin, në rregull, do të më duhet të bëj kinse jam i sëmurë.

Kështu që bëra që nëna t’i shkruante letër shkollës për t’i thënë se kisha gripin, ose diçka e tillë, dhe shkova në Pragë për turneun. Luajta shumë, shumë mirë dhe kjo ishte hera e parë kur pashë fëmijë nga vende të tjera që të më shikonin duke menduar: Ky është djaloshi nga Baseli. Ai është. Kjo ishte një ndjenjë me të vërtetë e mrekullueshme. U kthyem në shtëpi dhe shkova në shkollë të hënën, ende duke bërë gjoja se isha pak i sëmurë. Dhe mësuesi menjëherë tha: “Xherdan, eja këtu. Eja, eja, eja”.

Ai më mori te tavolina e tij dhe nxori gazetën nga tavolina. Ai po e shikonte atë dhe tha: “Oh, ishe i sëmurë?!” Në faqen e parë të gazetës ishte një foto e imja duke buzëqeshur, duke mbajtur trofeun e “Lojtarit të Turneut”. Vetëm e shikova atë dhe ngrita duart në ajër, duke menduar, epo… dreqin! Fillova të merrja shumë vëmendje pas këtij turneu, por paratë vazhdonin që të ishin një problem për familjen time, sepse të dy vëllezërit, po ashtu, po luanin për Baselin.

Kurdo që duhej të paguanim për të shkuar në një turne, apo diçka e tillë, kushtonte tri herë më shtrenjtë. Kur isha 16 vjeç, duhej të shkonim në një kamp stërvitjeje në Spanjë, por kushtonte rreth 700 franga zvicerane. Babai na tha një natë se ishte e pamundur, pasi nuk mund ta paguanim. Kështu që unë dhe vëllezërit të gjithë gjetëm punë të vogla për ta paguar atë. Unë po kositja barin e shtëpive të komshijve për pothuaj tri javë, vëllai im po punonte në një fabrikë. Arritëm që disi t’i bëjmë gati paratë dhe të shkojmë në Spanjë në momentin e fundit.

Rreth një vit më vonë, kur isha 17 vjeç, u ftova në ekipin e parë të Baselit. U futa në lojë në 20 minutat e fundit të një ndeshjeje dhe mendova se bëra mirë. Të nesërmen u shfaqa në stërvitje dhe trajneri i të rinjve tha: Çfarë dreqin ishte ajo? Çfarë po mendoje? I thashë: “Për çfarë je duke folur?” Ai tha: “Vetëm sa bisedova me trajnerin. Ai tha se e gjitha çfarë po bëje ishte driblimi. Mjafton kjo, do të rikthehesh në ekipin e dytë”. Isha i shokuar. Mendoja se isha i përfunduar te Baseli. Dy javë më vonë, klubi e shkarkoi trajnerin. Erdhi një trajner i ri. Ai më ftoi në ekipin e parë dhe kurrë nuk shikova prapa. Është interesante, sepse ai më vendosi në pozitën e mbrojtësit të majtë, edhe pse unë kasha dëshirë që të sulmoja dhe të krijoja, andaj mbrojtësit gjithmonë më bërtisnin: Kthehu! Duhet të kthehesh!

Por, çfarë të them? Gjërat shkuan goxha mirë për mua, sepse gazetat po shkruanin se ndoshta do të thirresha për Kupën e Botës 2010. Nuk e dija se çfarë të mendoja. Ishte gati çmenduri. Kur u ftova në ekip, ishte një moment shumë emocionues. Shkova drejt e në shtëpi për t’iu treguar prindërve, ata ishin shumë të lumtur. Ndodhi shumë shpejt. Një ditë isha 16 vjeç, duke kositur oborre në mënyrë që të paguaja një biletë për në Spanjë, pastaj isha 18 vjeç, në avion për në Afrikën e Jugut, për të luajtur në Kupën e Botës.

Më kujtohet kur luajtëm ndaj Spanjës, pashë Iniesta para meje dhe mendova: Wow, njeriu që e kam shikuar në televizor, ja ku është. Por gjëja që gjithmonë do ta mbaj mend është se, kur arritëm për herë të parë, shkuam te hoteli ynë dhe patëm një njeri ushtarak e të armatosur, duke qëndruar jashtë çdo dere. Njeriun e ushtrisë për të na mbrojtur vetëm ne. Mendoja se ishte gjëja më interesante në botë, sepse po vrapoja për në shtëpi nga parku gjatë natës vetëm një vit para kësaj. Tani kisha ushtarin tim personal!

Për prindërit e mi ishte një moment shumë krenar, të më shihnin duke luajtur në Kupën e Botës, sepse ata erdhën në Zvicër pa asgjë dhe punuan shumë për të bërë jetë të mirë për fëmijët e tyre. Mendoj se media shpesh keqkupton ndjenjat e mia për Zvicrën. Unë ndiej se kam dy shtëpi. Është kaq e thjeshtë. Zvicra i dha gjithçka familjse time, edhe unë tentoj t’i jap gjithçka ekipit kombëtar. Por, kurdo që shkoj në Kosovë, menjëherë kam ndjenjën e shtëpisë, po ashtu. Nuk është diçka logjike, është thjesht një ndjenjë që kam në stomak.

Në 2012 kur ne luajtëm ndaj Shqipërisë, e vura flamurin e Zvicrës, Shqipërisë dhe Kosovës në këpucët e mia dhe disa gazeta në Zvicër kanë thënë shumë gjëra negative për këtë. Unë isha kritikuar për këtë, por ishte çmenduri për mua që njerëzit ndihen kështu sepse është thjesht identiteti im. Gjëja e mirë për Zvicrën si vend është se gjithnjë ka mirëpritur njerëzit të cilët vijnë nga lufta dhe varfëria dhe po kërkojnë jetë më të mirë.

Zvicra ka liqene, male dhe gjitha gjërat. Por, Zvicra e ka parkun ku kam luajtur me turqit, serbët, shqiptarët, afrikanët dhe vajzat e reperët gjermanë. Zvicra është për të gjithë.

Kur unë hyra në fushë në Botërorin e vitit 2018, unë e pata flamurin e Zvicrës dhe të Kosovës në këpucët e mia. Jo për shkaqe politike, por sepse ato flamuj janë tregimi i jetës time.

Mos u brengosni, flamuri i Zvicrës është në këmbën time të majtë

Related Articles

Back to top button