Mësuesia rikthehet në modë, mbi 3 mijë maturantë studiojnë për t’u bërë mësues
Me fillimin e vitit të ri akademik në të gjithë universitetet shqiptare, për herë të parë këtë vit vihet re një trend i panjohur që nga koha e komunizmit.
Mësuesia është shndërruar në degën e tretë më të preferuar për studentët në vend.
Plot 3 283 maturantë, të gjithë me mesatare mbi 7 dhe midis tyre 258 me mesatare mbi 9, janë zgjedhur të formohen për të shërbyer si mësues.
Kjo përbën një ndarje të qartë me kohën kur pothuajse të gjithë maturantët përpiqeshin të futeshin në degë si juridiku, ekonomiku, mjekësia apo inxhinjeria.
Rikthimi në modë i mësuesisë ndikohet nga një numër politikash shtetërore, midis të cilave rritja e vazhdueshme e pagave apo ngritja e portalit të mësuesve, përmes të cilit çdo i ri mund të aplikojë dhe të sigurojë një vend pune në rajonin e tij të preferuar.
Falë këtij portali bëhet një rankim bazuar vetëm në aftësitë e mësuesve, duke shmangur elementin njeri në vlerësim, çka shmang edhe mikun, partinë apo nepotizmin në emërime.
Ndërkohë, një numër të rinjsh duket se janë ndikuar nga premtimi i qeverisë për të rritur pagat në mësuesi me 40% më shumë gjatë këtij mandati, çka bën që kjo degë të shihet si një zanat me të ardhura të sigurta dhe me shanse shumë më të mëdha punësimi se profesione të tjerë.