Nxënësit e Luginës pyesin Haradinajn për bursat dhe tekstet shkollore (Video)
Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim rreth 100 nxënës të shkollave të mesme nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.
“Në Kosovë bashkëndiej me ju, me familjet e juaja, prindërit më të cilët jeta është jo aq e lehtë, për gjendjen ekonomike, të drejtat njerëzore por edhe kombëtare, nevojat e përgjithshme të njerëzve tanë aty, njëkohësisht për nxënësit, shkollën, vendbanimet,” është shprehur Hardinaj para tyre.
Sipas tij, shqiptarët janë popull i vuajtur por nuk janë hakmarrës, janë të gatshëm të pajtohen, raporton EkonomiaOnline.
“Kjo qeveri ka fillu me propozim të ministrit të drejtësisë, që është nda një shumë për një projekt dhe ka ardhë për një përkrahje në Preshevë. Dëshirojmë të jemi me ju, në perspektivën e juaj. Të gjithë shqiptarët, si serbët, janë njerëz të zotit. Shqiptarët janë popull i vuajtur por nuk janë hakmarrës, janë të gatshëm të pajtohen. Duhet të ndiheni krenar, për kombin që është kombi më i vjetër, autokton, me vlera të jashtëzakonshme, tolerancë me fe. Perspektiva juaj, në vendbanimet tuaja është e ndritur. Mos dyshoni se nuk do të jetë e mirë. Të gjithë ne do jemi me ju”.
Kryeministri Haradinaj është pyetur nga nxënësit për bursat studimore për nxënës të Luginës, për sigurimin e teksteve shkollore dhe nostrifikimin e diplomave.
“Duhet me punu si Kosovë, me kriju një bazë që këto tekste të mos vijnë ilegal, por të vijnë për nxënës në luginë. Është në interesin e gjithë botës së civilizuar. Mos e humbni besimin, se ajo do të vijë”.
“Nuk ka ndodh zbatim i mirëfilltë për këtë (nostrifikimin). Nuk mendoj që është për gjithë jetën kështu. Kosova ka qenë e kujdesshme. Një fakt që duhet t’iu tregoj, që Serbia më shumë shet mall në Kosovë se në Rusi. Më shumë ka interes Serbia ta ruajë marrëdhënien tregtare me Kosovën. Nëse duan ta ruajnë këtë marrëdhënie ata nuk mund të bëjnë pengesa të pakuptimta. Nuk është se Kosova nuk ka asgjë në dorë. Por, deri tash nuk i kemi nxjerrë të gjitha kartat në tavolinë. Jo ne t’i bëjmë presion qeverisë së Serbisë, por Oda Ekonomike e Serbisë tu drejtohet që të mos ndalojë. Rikujtoj se Serbia merr 600 milionë nga Kosova. Nëse i humb marrëdhëniet tregtare me Kosovën, Serbia e din sa humb”.
Rexhep Hoti, kordinator nacional për kulturë, rini, sport ka thënë se premtimi që nxënësit e Luginës t’i sjellë për vizitë është i përmbushur, raporton EO.
“Është nder i veçantë për mua të bëjë një vizitë të tillë,” është shprehur Hoti.