Lajme

Nxënësit presin ndihmën e Këshillit Kombëtar Shqiptar për tekstet shkollore

Mungesa e teksteve shkollore në shkollat në gjuhën shqipe të komunës së Bujanocit shkakton shqetësime dhe vështirësi për nxënësit në procesin e mësimeve.

Disa nga nxënësit e shkollës së mesme “Sezai Surroi” për Titulli.com u shprehen të shqetësuar për këtë si dhe kërkuan nga institucionet përkatëse të gjejnë zgjidhje për problemin e tyre.

Leonita Fetahu, nxënëse pranë kësaj shkolle tha se kanë tekste në shqip vetëm për tre lëndë, raporton Titulli.com.

“Nga 13 lëndë sa kemi gjithësejt në një vit shkollor ne kemi vetëm për 3 lëndë tekste shkollore gjë që e vështirëson mësimarrjen. Problemi është se mbi tridhjetë minuta nga një orë mësimi kalon me marrjen e shënimeve gjë që mbetet pak kohë për sqarime dhe shpjegime nga mësimdhënësi”, theksoi Fetahu.

Vështirësitë rreth problematikës së mungesës së teksteve shqip në të gjitha shkollat në gjuhën shqipe të Luginës së Preshevës i shpreh edhe Rita Halimi.

“Mungesa e materialit mësimorë është shqetësim për ne si në të gjitha shkollat tjera shqipe por shpresoj që institucionet të gjejnë një zgjidhje për këtë problem” tha Halimi, shkruan Titulli.com.

Endrit Kadriu, nxënës i vitit të katërt duke folur për mungesën e teksteve shqip ka hasur gjatë katër viteve të shkollimit duke thënë se me këtë duhet të merret më shumë Këshilli Kombëtar Shqiptarë që është kompetent.

Mendim të ngjashëm ka edhe Shkurte Arifi e cila potencoi se Këshilli Kombëtar Shqiptar duhet ti kushtojë rëndësi më të madhe teksteve shkollore sepse humbin kohë në marrje të shënimeve gjatë orëve të mësimit

“Problemi ynë më i madh janë tekstet shkollore pasi që në mungesë të tyre ne duhet të marrim shënime por shpresoj që institucionet të angazhohen që të na gjejnë një zgjidhje për këtë problem”,deklaroi gjatë bisedës për Titulli.com Shkurte Arifi.

Nxënësit shqiptar presin që përbërja e re e Këshillit Kombëtar Shqiptar do t’i jep prioritet mungesës së teksteve shkollore shqipe, kompetencë e së cilës andaj edhe pjesëmarrja në zgjedhjet për këtë institucion është e rëndësishme më 4 nëntor.

Këshilli Kombëtar Shqiptar që nga themelimi ka siguruar disa 54 tekste shkollore për shkollat fillore në gjuhën shqipe përmes përkthimeve dhe ka siguruar vetëm librin e gjuhës shqipe për shkolla e mesme në Luginë të Preshevës.

Related Articles

Back to top button