Thaçi “kërcënon” Haradinajn: Ata që s’korrigjohen, shumë lehtë mund të zëvendësohen

Përplasjet ndërmjet kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi rreth idesë së “korrigjimit” të kufijve me Serbinë të hënën kanë prekur zenitin, ku Thaçi i ka thënë Haradinajt se “ata që nuk korrigjohen, shumë lehtë mund të ndërrohen”.
Thaçi gjatë ditës së djeshme tha se çdo kryeministër i vendit mund të ndërrohet, po qe se nuk korrigjohet së pari. Ky “kërcënim” në drejtim të shefit të ekzekutivit erdhi pasi Haradinaj gjatë ditës së djeshme tha se ideja e korrigjimit të kufijve (e proklamuar nga Thaçi tash e sa kohë), tashmë ka vdekur.
Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se presidenti me deklarata të tilla ka dashur t’i tregojë kryeministrit se mund ta shkarkojë atë përmes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën dikur e drejtonte Thaçi.
Por pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e partisë së Haradinajt, AAK-së, mbeten të sigurt se nuk do të ketë rrëzim të Qeverisë. Kjo pasi sipas tyre, për zgjedhje vendosin partnerët e koalicionit e jo kreu i shtetit.