Anketë: Serbët nuk duan shkëmbimin e Luginës së Preshevës me veriun e Kosovës
Një sondazh i ri tregon se shumica e qytetarëve serbë janë në favor të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve.
Një studim i publikuar të premten nga kompania për hulumtimin e opinionit serb ‘Demostat’ tregoi se shumica e serbëve mbështesin vazhdimin e bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Kjo është ndoshta hera e parë që serbët janë për bisedimet dhe zgjidhjen e problemit, pasi katër nga pesë [79 për qind] e të anketuarve e thonë këtë”, tha sondazhi i ‘Demostat’.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh atë. Të dy vendet janë të përfshira në një dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja që synon arritjen e një zgjidhje përfundimtare, e cila eventualisht do t’i mundësojë të dyja palëve që të bëhen anëtare të bllokut evropian.
Në javët e fundit, zyrtarët serbë dhe kosovarë kanë përmendur mundësinë e asaj që ata kanë quajtur ‘korrigjim të kufijve’ si pjesë të një marrëveshjeje përfundimtare, e cila është interpretuar si një shkëmbim i mundshëm i territorit.
Katër nga pesë të anketuar në sondazh kanë thënë se termi ‘shënjim i kufijve’ ishte i qartë për ta.
Megjithatë, 61 për qind e të anketuarve thanë se nuk duan shkëmbimin e Luginës së Preshevës që gjendet në pjesën jugore të Serbisë, ku jetojnë një numër i madh i shqiptarëve, me veriun e mbizotëruar nga serbët e Kosovës. 16 për qind e mbështetën idenë.
Anketa e ‘Demostat’ tregoi gjithashtu se tre të katërtat e të anketuarve, ose 76 për qind prej tyre, thanë se nuk pajtohen që Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës në shkëmbim të anëtarësimit në BE.
Kur u pyetën nëse bien dakord që Kosova të bëhet shtet i pavarur në këmbim të entitetit kryesisht serb të Bosnjës, Republika Srpska, duke u bërë pjesë e Serbisë, e cila është avokuar nga kreu i saj, Milorad Dodik, 66 për qind thanë se nuk ishin dakord.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ftoi të gjithë qytetarët serbë në qershor të vitit 2017 për t’u bashkuar me atë që ai e përshkroi si “një dialog të brendshëm mbi Kosovën dhe Metohinë”, pas të cilit u organizuan disa diskutime publike. Shumica e politikanëve të opozitës i injoruan këto ngjarje.
Sipas anketës, 41 për qind e njerëzve mendojnë se asgjë nuk është arritur gjatë dialogut të brendshëm të Vuçiqit, ndërsa 19 për qind thanë se nuk e dinë se çfarë ishte rezultati. Dy të pestat e të anketuarve thanë se mendonin se ishin arritur disa qëllime.
Të pyetur për interesat më serioze serbe në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, pothuajse gjysma e të anketuarve, 46 për qind, ishin për “normalizimin e plotë të marrëdhënieve të konfirmuar me marrëveshje ligjore të detyrueshme”.
Një e katërta e të anketuarve, 27 për qind, thanë se më e rëndësishmja është “mbrojtja dhe përmirësimi i interesave ekonomike të Serbisë në Kosovë”, ndërsa 21 për qind thanë se nuk e dinin.
Të pyetur nëse do të ketë një zgjidhje të mundshme nga dialogu Serbi-Kosovë, 27 për qind nuk u pajtuan dhe thanë se situata e tanishme vazhdon dhe se problemi do të mbetet ‘i ngrirë’.
Por më shumë se gjysma e të anketuarve, 54 për qind, thanë se kanë parë mundësinë e zgjidhjes.
Nëntëmbëdhjetë për qind thanë se nuk e dinin.
Anketa u krye në me 1200 qytetarë serbë në mes të 8 dhe 17 tetorit.