Lajme

APN faktor i pamohueshëm tashmë edhe në Bujanoc

Zgjedhjet e djeshme për Këshillin Kombëtar Shqiptar e kanë zyrtarizuar Alternativën për Ndryshim si faktor tejet të rëndësishëm politik dhe shumë serioz përbrenda komunës së Bujanocit.
Rezultati i dalë nga këto zgjedhje, tregon qartazi se nevojat për ndryshime janë në rrugën e mbarë dhe se koha në vazhdim do të punojë për këtë subjekt politik.

Edhe përkundër vështirësive të shumta, si mangësia në listën e votuesve, tretmani jo i barabartë në Këshillat e Votimit si dhe presioni i partisë në pushtet, si ndaj komisionerëve ashtu edhe ndaj vet elektoratit, nuk e kanë ndal APN të arrijë sukses të pamohueshëm në këto zgjedhje.
Kur merret parasysh jetëgjatësia jonë e shkurtër në skenën politike, natyrisht se votat e siguruara në komunën të Bujanocit na bëjnë të ndihemi faqebardhë dhe tejet krenarë.

Andaj, tej mase falenderojmë elektoratin tonë për besimin e dhënë dhe sjelljen dinjitoze, si në ditën e zgjedhjeve, ashtu edhe gjatë gjithë fushatës elektorale. Poashtu, falenderojmë edhe anëtarët e Shtabit Zgjedhor e në vecanti komisionerët tanë nëpër vendvotime.

Pa marrë parasysh rezultatet, falenderime u shprehim edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, pa dallime partiake, për sjellje të hijshme gjatë procesit, por edhe kundërshtarëve tanë politik me të cilët ishim në garë.
Sigurojmë të gjithë anëtarët dhe simpatizantët tanë se APN do të vazhdojë të rritet dhe se me punën e saj do të bëhet forca kryesore politike në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Në këtë rrugëtim tonin ftojmë të na bashkangjiten të gjithë qytetarët e vecmas të rinjtë.
Ta përqafojmë ndryshimin, sepse ai nuk ndalet.

Me rrespekt,
Arbër Pajaziti-kryetar i APN-së, dega Bujanoc

Related Articles

Back to top button