Çmimi që shqiptarët në Serbi paguajnë për përdorimin e flamurit shqiptar
Dënimet monetare janë një çmim që shqiptarët në Serbi janë në gjendje të paguajnë vetëm për të pasur të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar.
Shqiptarët e përfshirë në institucione brenda shtetit të Serbisë vuajnë ndalimin e përdorimit të flamurit shqiptar që ata konsiderojnë se i përfaqëson më së miri.
Këshilli Nacional Shqiptar që është organ që merret ekskluzivisht me çështjet e shqiptarëve në Serbi paguan qindra euro në vit dënime për shkak se përdorin flamurin e Shqipërisë.
Lidhur me çështjen e flamurit, në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, debatuan kandidatët për kryetar të Këshillit Nacional Shqiptar.
Ata thuajse njëzëri thanë që janë kundër idesë që të përdorin një flamur tjetër për përfaqësim.
Ragmi Mustafa nga Partia për Veprim Demokratik tha se problem janë ligjet diskriminuese në Serbi.
“Veq hapja e debatit për ndërrimin e flamurit për Luginën e Preshevës është i tepërt. Flamuri është i lejuar me Kushtetutë, kemi të drejtë ta përdorim, problemi qëndron tek Ligji për Protokolin që nuk lejon flamurin e një shteti tjetër. Prandaj në këto suaza ata po dënojnë.
Në anën tjetër, Enver Mehmeti nga Partia Demokratike Shqiptare foli lidhur me dënimet që paguhen nga KNSHS dhe njerëz tjerë për përdorimin e flamurit.
“Edhe Partia Demokratike shqiptare është e palëkundur edhe që të bëhet debat mbi flamurin. Ne jemi shqiptar, flamuri kombëtar është për të gjithë shqiptarët. Privatisht përdoret por është e ndaluar në institucione. Këshilli Nacional paguan dënim për një ditë që e përdor flamurin kombëtar, diku i bie herë 500 euro herë 800 euro”, tha Mehmeti.
Ndryshe, Arbër Pajaziti nga Alternativa për Ndryshim tha se duhet që debati për flamurin të jetë më i hapur.
“Ne si alternativë kemi menduar se duhet ta kemi një qëndrim të kooridnuar dhe duhet të marrim mendim nga Akademia e Shkencave edhe të Kosovës dhe Shqipërisë lidhur me këtë çështje. Ne kemi thënë se duhet ta hapim këtë temë. Nuk do të ishte keq që ta kemi edhe flamurin e pakicës shqiptare”
Të ftuarit në debat flasin për çështje të ndryshme që i preokupojnë shqiptarët në Serbi si për përdorimin e flamurit shqiptar në Serbi, furnizimin e nxënësve me libra shqip dhe përfaqësimin gjinor në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Ndërkaq në pjesën e parë të këtij emisioni u transmetua intervista me drejtorin e shkarkuar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari.
Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: