Kosova do të dërgojë libra shqip elektronik në Luginë të Preshevës
Nga MASHT-i thonë se në Luginë, do të dërgohen libra shqip në mënyrë elektronike
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), planifikon që në Luginën e Preshevës të dërgojë Abetare në mënyrë elektronike, në pamundësi që në shtetin fqinjë ato të dërgohen në mënyrë fizike.
Ministri Shyqiri Bytyqi, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se edhe përkundër përpjekjeve të institucioneve të vendit për të dërguar në komunat serbe të banuara me shqiptarë, libra në shqip, nuk kanë arritur që të gjejnë zgjidhje.
“Konsideroj që është një çështje e ndjeshme është një çështje që ka ndikime përtej ministrisë së Arsimit ndikime edhe politike. Ne jemi munduar që të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe zgjidhje dhe në pjesën e Preshevës, Bujancit dhe Luginë, nuk kemi arritur sukses. Unë nuk jam person që dëshiroj të bëj spektakël e të themi shiko se çfarë po bëjmë, nëse nuk mund të bëjmë një gjë, nuk marrim hapa siç ka ndodhë në të kaluarën. Çka mund të bëjmë në të ardhmen, ne po shpresojmë që ndoshta do të gjendet një zgjidhje, një bashkëpunim më i mirë. Do të kalojnë ndoshta edhe në një formë elektronike të disa librave, përfshirë edhe Abetaren, që ndoshta do të jetë mundësia më e lehtë që të mos ketë nevojë që këto spektakle të bartjeve të librave, por që të kemi mundësi qasje direket e pastaj të lejohet edhe përdorimi i lirave të tilla. Ne mund të krijojmë, por nëse nuk lejohet në shtetin tjetër atëherë do ta kemi problem. Konsideroj që e ardhmja do të sjellë bashkëpunim që të lejohet përdorimi i librave shqip në pjesën e Luginës”, tha Bytyqi.
Problem në MASHT ka edhe me menaxhimin e universitetit në veri të Mitrovicë. Duke folur për ligjin për arsimin e lartë Bytyqi sqaron se institucionet private të arsimit të lartë duhet të kenë statusin e një organizate joqeveritare, por nuk mund të jenë profitabile.
“Çdo institucion përfshirë edhe pjesën e universitetit që gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës është përfshirë në ligj dhe është në kuadër të ligjeve aktuale në Kosovë dhe Kushtetutës së Kosovës. Ka risi në ligj, ka risi shumë pozitive. Shpresoj që nuk do të ketë ndryshime rrugës sepse mund të shkoj në parlament e pastaj është e drejta e deputeteve që në parlament të bëjnë ndryshime. Ajo që është risia më e madhe është që ne kemi risi është që kemi përfshirë është që institucionet e arsimit të lartë që janë privat duhet të kenë statusin e një organizate joqeveritare, por nuk mund të jenë profitabile. Besoj që do të jetë një gjë pozitive në ngritjen e cilësisë në këto kolegje. Në fakt ligji për arsimin e lartë është finalizuar, ka përfunduar është në Qeveri. Kemi shpresuar që do të jetë këtë mbledhje për finalizim por për shkak të disa procedurave të miratimit të kostos që vinë nga ministria e Financave nuk është fut në rendin e ditës, në mbledhjen e ardhshme do të jetë në Qeveri dhe do të miratohet ligji për arsimin e lartë”, tha tutje Bytyqi.
Bytyqi ka folur edhe për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve, proces ky që ka filluar muajin e kaluar. Kreu i arsimit në vend thotë se vlerësimi ka për qëllim rritjen e cilësisë në arsim e jo nënvlerësimin e mësimdhënësve. Prandaj sipas tij, të gjithë ata që nuk tregojë rezultate gjatë vlerësimit do të ndëshkohen.
“Për pjesën e parë, rreth 220 mësimdhënës janë të përzgjedhur. Është duke vazhduar procesi, nga informacioni që vinë nga terreni qoftë nga drejtori i inspektoratit qoftë nga vet inspektorët, gjërat janë duke shkuar mirë, nuk kemi pasur ndonjë problem. Na merr kohë derisa të përfundon kjo pjesë sepse është një procedurë shumë e ndërlikuar e cila merr kohë sepse duhet të ndahet në dy pjesë sepse pjesa e parë është 30% që ka të bëjë me përgatitjet në program pastaj pjesa e dytë 30% që bëhet rishikim brenda orës së mësimit kështu që merr kohë derisa të kompletohet pjesa që i takon inspektoratit të arsimit. Unë pres që do të ketë rezultate pozitive. Mësimdhënësit kanë mundësinë të zhvillimit tyre profesional në ngritje në karrierë e cila është shumë e nevojshme. Kanë nevojë për me i përmirësuar metodat e mësimdhënësve që ka mundësi dhe unë pres që gjërat të ecin siç duhet pra të jenë në shërbim të cilësisë”, tha ministri Bytyqi.
Ai shtoi se nuk e kanë qëllimin që inspektorati të shkoj të ndëshkojë, por se ata do të kalojmë në pjesën pedagogjike të inspektoratit të cilët do ta luajnë një rol shumë të rëndësishëm në edukimin e mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave.
“Kjo do ta ndihmoj mjaft shumë edhe ngritjen në cilësi brenda mësimdhënies dhe në përgjithësi ndihmësen e mësimdhënësve për të dal sa më mirë në performancën e tyre”, përfundoi Shyqiri Bytyqi.