Krasniqi: Bashkimi i Luginës së Preshevës nuk është më i pamundur (Video)
Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se në botën moderne asnjë ide nuk është e pamundur.
Ai në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se para pesë vitesh askush nuk ka mundur të paramendojë se mund të diskutojmë për temat që janë në tryezë.
“Ne e dimë [bashkimi i Luginës së Preshevës] që është gati e pamundur. Por, në këtë botën e re nuk është asgjë e pamundur. Në pesë vitet e fundit çfarë kemi parë në zhvillimet globale, bash asgjë më nuk është e pamundur”, tha Krasniqi.
Krasniqi thotë se lojtarët në politikën globale nuk janë më të njëjtit dhe pozita e Kosovës nuk është më e mirë se që ishte më parë.
“Nuk është më Amerika e njëjtë. Nuk është më as BE-ja e njëjtë dhe pas zgjedhjeve të qershorit të 2019-të do të jetë edhe më e ndryshme”.
Krasniqi ka thënë se Kosova duhet të shikojë edhe pozicionin e ri të kongresistëve të SHBA-së, pas zgjedhjeve që u mbajtën atje këtë muaj.
“Ka pasur një numër të madh të kongresistëve në SHBA, që kanë mbështetur çështjen shqiptare dhe besoj se pas zgjedhjeve të fundit nuk e kemi më këtë mbështetje”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Nënkryetari i PDK-së ka thënë se Kosova nuk e ka luksin të presë edhe dhjetë vite për të arritur një marrëveshje pasi kushtet e BE-së mund të lëvizin.
“Nëse Kosova nuk shprehet e gatshme për të arritur marrëveshje me Serbinë, BE mund t’i heq Serbisë kushtin e Kosovës dhe t’i hap rrugë për integrim”, tha ndër të tjera Memli Krasniqi.