Lugina e Preshevës kërkon përjashtimin e bizneseve të shqiptarëve nga taksa doganore
Përfaqësuesit politik si dhe afaristët që shtrijnë biznesin e tyre në komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, thonë se e përkrahin vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia.
Pavarësisht faktit që këto tri komuna të banuara me shqiptarë shtrihen në territorin e Serbisë, përfaqësuesit e atjeshëm thonë se masa për taksën doganore ishte e domosdoshme, ndërkaq i kërkojnë Qeverisë së Kosovës që kjo taksë të mos i prek bizneset shqiptare, qofshin ato nga Lugina e Preshevës (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc) apo biznese nga Kosova që shtrijnë aktivitetin e tyre në të dyja anët e kufirit.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, njëherësh ish-kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se në ditët në vijim Qeveria e Kosovës duhet të shikojë mundësinë që të largojë taksën vetëm për produktet e kompanive shqiptare në Luginën e Preshevës.
“Ne nga ky pozicion kërkojmë që Qeveria e Republikë se Kosovës të ushtrojë një “diskriminim pozitiv”, që bizneset shqiptare me produktet e tyre që kanë në tregun në territorin e Republikës se Kosovës të largohen nga kjo listë ose nga ky detyrim i tatimit në vlerë 100 për qind në mënyrë që ato të mbijetojnë”,tha Mustafa.
Edhe disa nga kompanitë prodhuese nga Kosova që veprimtarinë e tyre e zhvillojnë edhe në Luginën e Preshevës, përkrahin vendimin e fundit të Qeverisë se Kosovës. Por, sfidat dhe vështirësitë, sipas tyre, nga ky vendim nuk mungojnë.