Getoar Krasniqi nga Bujanoci, student i infermierisë që synon avancim në Evropë
Getoar Krasniqi, studion për infermieri në Universitetin për Biznesi dhe Teknologji në Prishtinë dhe gjatë një bisede për Titulli.com foli për shkollimin, punën dhe perspektivën në komunën e Bujanocit.
“Drejtimi i mjekësisë dhe infermierisë gjegjësisht të bën të jesh shumë human, të kujdesesh për shëndetin dhe mirëqenien e pacienteve pa dallim moshë, gjininë, racë dhe kombi. Të jesh pranë tyre në gjendje të keqësuar dhe kur përmirësohen gjithashtu”, u shpreh mes tjerash Krasniqi.
Na thuaj diçka për veten ?
Krasniqi: Unë quhem Getoar Krasniqi, jam 20 vjeçar, jetoj në qytetin e Bujanocit aty ku kreva shkollën fillore gjithashtu edhe gjimnazin e përgjithshëm. Isha nxënës aktiv dhe i zellshëm dhe në fund të shkollimit të mesëm mendova që po të zgjidhja për të studiuar një drejtim krejtësisht tjetër nga gjimnazi sdo të më pengonte ! Tashmë jam student i vitit të II, në drejtimin e infermierisë (UBT) . Vitin e ardhshëm pretendoj të jem i diplomuar dhe të vazhdoj studimet e mia postdiplomike diku në shtetet e Evropës.
Pse keni zgjedhur të studioni ?
Krasniqi: Pa studiuar nuk mund të arrijmë majat. Mendoj që kohërat kanë ndryshuar dhe edhe nëse prindërit dhe të afërmit janë marrë me zanate, bujqësi, zejtari (jo në rastin tim), tash është koha që të bëhemi të zotët në shkencë, në mjekësi, në ndërtimtari, në drejtësi, në artë e shumë fusha tjera. Me këtë dua të them që nëse e kemi filluar zellshëm prej klasës së parë të përfundojmë studimet ashtu siç e kemi parashikuar gjithmonë.
A mendon që notat që marrin studentët e tregojnë aftësinë e tyre apo jo ?
Krasniqi: Neve çdo herë që i jemi nënshtruar një provimi në fakultet na kanë thënë provimi është veçse një provë për atë se si mund të gjendesh në ato momente sa zgjat provimi. Në plotë raste ne studentët gjendemi në vështirësi, kemi ankth, frikë dhe kjo na prish punë të them të drejtën sepse nuk mund të shprehesh gjithë njohuritë e tua, dhe të bësh testin sa më komplet të jetë e mundur ose edhe të shprehemi gojarisht. Kjo rezulton në rezultate jo të mira të studentëve dhe mendoj që notat që marrin pastaj nuk e tregojnë mirë aftësinë e tyre. Mirëpo gjithë kjo ka ndryshuar falë profesorëve të mirë të cilët janë me neve tërë kohën sa është e caktuar të mbahen ligjëratat e lëndës përkatëse (një ose dy semestra). Ata mundohen që gjatë tërë vitit ligjëratat të jenë sa ma atraktive dhe interaktive mbi të gjitha, gjatë orëve të jemi shumë aktiv dhe të dalluar, ata mbajnë evidencë për mungesat dhe për paraqitjet e tona gjate orëve dhe ky sistem na ka ndihmuar shumë për të memorizuar materialin dhe të kemi rezultate të mira në provime, falë edhe sjelljeve të mira të profesorëve të cilët na ndihmojnë që kur jemi në provim të hedhim mbrapa krahëve stresin dhe ankthin.
Çfarë mesazhi do të kishit për profesorët që kanë lënë përshtypje më shumë tek ju ?
Krasniqi: E thashë edhe më lartë të gjithë profesorët kanë sjellje të mira ashtu edhe si ju përket atyre. Në rast se ata do të kishin lexuar këto përgjigje do iu kisha thënë që kanë qenë shtysë e mirë për mua dhe kolegët duke na frymëzuar se vetëm me mund dhe angazhim mund të arrijmë shumë në jetë. Ju jam shumë mirënjohës dhe falënderues çdo herë.
Në çfarë pune (funksioni) e sheh veten në 5-10 vitet e ardhshme?
Krasniqi: Të gjithë kemi pretendime dhe besoj që pas disa viteve të kem kryer studimet postdiplomike, të jem një infermier i angazhuar në repartin mjekësor përkatës për të cilin jam specializuar.
Çfarë mesazhi do të kishit për ti dërguar gjithë atyre që duan të studiojnë drejtimin tuaj ?
Krasniqi: Çdo që keni zgjedhur në jetë, çfarëdo qoftë drejtimi i juaj duhet ta bëni me dëshirë dhe dashuri. Të gjitha drejtimet kanë karakteristikat dhe specifikat e veta. Drejtimi i mjekësisë dhe infermierisë gjegjësisht të bën të jesh shumë human, të kujdesesh për shëndetin dhe mirëqenien e pacienteve pa dallim moshë, gjininë, racë dhe kombi. Të jesh pranë tyre në gjendje të keqësuar dhe kur përmirësohen gjithashtu. Të përfshihesh në kujdesin ndaj tyre (pacientëve) dhe të shohësh rezultatet e punës që keni bërë mendoj që nuk ka frymëzim më të madh për të vazhduar më tej.