Lajme

Ja urimi i Shqiprim Arifit për Vitin e Ri

Të nderuar qytetarë të Komunës së Preshevës
Zonja dhe Zotërinjë

Vitin që po e lëmë pas ishte një vit i sfidave pothuajse në të gjitha sferat jetike për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Procesi i zgjedhjeve të parakohëshme lokale që kishte vazhduar edhe në këtë vit për shkaqe të përsëritjes së votimit në njësinë zgjedhore nr. 5 si dhe krijimi i pushtetit lokal në Komunën tonë ishin hapat e para për daljen nga kriza politike që kishte kapluar Komunën tonë.
Komuna e Preshevës ka bërë hapat e parë në drejtim të një politikbërje dhe reformave rrënjësore në pushtetin lokal në bashkëpunim të ngushtë me miqtë tanë ndërkombëtarë si partner të patjetërsueshëm për mbrotjen e të drejtave dhe lirive tona si minoritet në shtetin ku jetojmë. Qytetarët e Komunës së Preshevës kanë bërë qartë se dënojnë politikbërjen e sistemit të stërvjetëruar, e kapur në favor të interesave individuale dhe klanore. Konsolidimi i spektrit politik në Komunën tonë gjithashtu është indikatorë i qartë se funksionimi i sistemit politik lokal në dekadat e fundit ka pasur synim pushtetin si burim i pasurisë së individëve të caktuar. Në emër të shumicës për përfitimin e pakicës dhe e tëra kjo ka shkuar në favor të pushtetit qëndrorë, meqë me persona të indeksuar në dosjet e tyre nuk mundet dot të realizohen të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Siç kemi theksuar disa herë, është interes kombëtarë që spektri politik i Luginës së Preshevës të reformohet rrënjësisht për mundësinë e bashkëpunimit të thellë partiako-politik në të gjitha sferat e rëndësishme jetike. Vetëm kështu dilet nga kjo mizerje e egove të pandryshuara nga e kaluara që kanë etabluar modelin qeverisës anti-qytetarë.

Në vazhdën e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me atë të Serbisë, do të përkujdesemi edhe më tejë të jetësojmë ambicjet tona shekullore, ndërkaq deklarata politike e kuvendit të këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës të miratuar në muajin Gusht të këtij viti të mos mbetet vetëm një formalitet deklerativ pa konkretizime dhe realizime.

Në vitin që po e lëmë pas kemi filluar me shumë projekte per mbrojtjen e interesave vitale të Komunës sonë, të theksojmë bujqësinë dhe zhvillimin rural, infrastrukturën urbane, projekte për mbështetje të zhvillimit të sektorit privat si zhvillimi i ndërmarrësisë dhe hapja e vendeve të reja të punës, përmismi i shërbimeve të administratës komunale, hapja emergjencës, përmirësimi i shërbimeve mjeksore, uji i pijshëm, menaxhimi i mbeturinave, renovimi i shkollave fillore dhe të mesme (ato që blloku i stërvjetëruar opozitar thonte se kurrë nuk realizohet) etj. Natyrisht se jemi të vetëdijshëm se shumë e shumë projekte tjera të rëndësishme duhen te iniciohen dhe realiziohen, këto do të ndjeken me përpikmëri pasi të analizohen dhe priorizohen. Vendi ynë i bekuar me gjitha sfidat shekullore që na kanë kapluar ka një shpresë të madhe për një jetë të mirë. Por gjithsesi nevojitet bashkëpunimi i ndërsjellë sidomos i ndarjes së pushtetit lokal me qytetarët e Komunës. Ashtu siç na kanë mësuar stërgjyshërit tanë, për këtë vend ja vlenë të flijohemi secili nga ne. Jam mëse optimist se shqiptarët e Luginës së Preshevës do t`i mbretërojnë sfidat ashtu siç është më mirë.

Të nderuar qytetarë të Komunës së Preshevës,
Zonja dhe Zotërinjë

Shfrytëzoj rastin që me rastin e ndërrimit të motmotove në emër të institucioneve komunale si dhe në emrin tim t`ju dëshiroj shëndet, lumturi dhe harmoni familjare, mirëqenie dhe mbarësi.

Urime dhe Gëzuar!

Shqiprim Arifi
Kryetar i Komunës së Preshevës,
Preshevë, 31.12.2018

Related Articles

Back to top button