Lajme

Thaçi: Nuk do të ketë as shkëmbim të territoreve dhe as ndarje të Kosovës

Presidenti i Kosovës nuk është tërhequr nga ideja e ndryshimit dhe korrigjimit të kufijve me Serbinë. Mirëpo, nga Amerika, ai ka thënë se nuk do të ketë ndarje dhe as shkëmbim territoresh. Hashim Thaçi ka thënë se Serbia do ta njohë Kosovën e cila do të anëtarësohet në OKB. Por, nuk ka treguar se çka do të kërkojë Serbia në këmbim të këtyre veprimeve në favor të Kosovës.

“Nuk do të ketë as shkëmbim të territoreve dhe as ndarje të Kosovës. Nuk do të ketë as kufi përgjatë vijave etnike dhe as shkëmbim të popullatës”.

Ky është premtimi i Hashim Thaçit që ka dhënë në në ditën e fundit të vizitës zyrtare në SHBA, ka mbajtur një ligjëratë publike në “Atlantic Council” në Uashington.

Ai nuk e ka mohuar mundësinë e ndryshimit dhe korrigjimit të kufijve, temë kjo e nisur në fillim të këtij vit.

Në anën tjetër, ai ka thënë se Kosova ka mësuar nga e kaluara se nuk ka marrëveshje pa kompromise, por gjithashtu ka mësuar se nëse bashkëpunon me partnerët e vet ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, kompromisi ka sjellë deri te realizimi i aspiratave të popullit të Kosovës.

“Nëse pyesni pse tani po kërkojmë marrëveshje paqësore, ju them se tash është momenti kur edhe Serbia është e gatshme për një marrëveshje të tillë”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Marrëveshja ende duket e largët, gati e pamundur”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “megjithatë jam optimist se mund të arrihet”.

Duke ditur se audienca është e interesuar të dëgjojë edhe për çështjen në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi bëri të ditur se çështja e përcaktimit të kufirit në mes të Kosovës e Serbisë është vetëm një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

“Marrëveshja është gjithëpërfshirëse dhe do të mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë, që nga të pagjeturit e refugjatët e deri te çështja e pronës dhe të drejtave të komuniteteve”, ka thënë ai.

“Do të ketë njohje të Kosovës nga Serbia. Kosova do të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara dhe do të forcojë perspektivën evropiane për të dyja vendet dhe tërë rajonin”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “BE na ka bërë të qartë në Samitin e Sofjes se nuk do ta pranojë Ballkanin Perëndimor, përderisa vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i mbyllin çështjet e hapura që kanë mes tyre”.

Por, nga marrëveshja paqësore, shtoi presidenti Thaçi, përfitojnë edhe BE-ja dhe SHBA-ja.

Related Articles

Back to top button