Ambasadori Suedez viziton Komunën e Preshevës
Kori diplomatik gjithnjë sytë nga Komuna jonë
Sot në kabinetin tim prita në takim ambasadorin suedez z. Jan Lundin.
Ambasadorit ia paraqita historikun e zhvillimeve politike në tre-katër vitet e fundit në skenën politike të Luginës së Preshevës, ngjarjet dhe zhvillimet politike, vizionin tonë që lidhet me stabilitetin politik përmes zhvillimit ekonomik të barabartë si dhe të drejta dhe liri në të gjitha sferat jetësore, zgjidhjen e problemeve të grumbulluara të qytetarëve tanë në mënyrë pragmatike, si dhe qasjen tonë të hapur dhe bashkëpunuese me të gjithë faktorët relevant, që kanë ndikim në përmirësimin e kushteve dhe pozitës së qytetarëve të komunës së Preshevës.
Konkretisht biseduam edhe rreth temave që i preokupojnë qytetarët tanë në mënyrë të përditshme, duke filluar nga shkalla e lartë e papunësisë, problemeve të rinisë, sidomos për problemet e mospranimit të diplomave nga Republika e Kosovës, mungesën e teksteve shkollore në gjuhën amtare, qarkullimin e lirë të qytetarëve, problemet e mbeturinave, mungesa e ujit të pijshëm etj.
Ambasadorin e informova për përparimet që i kemi bërë gjatë angazhimit tonë në kuadër të pushtetit lokal, sidomos në sigurimin e fondeve për renovimin e objekteve shkollore e shëndetësore, eliminimin e deponive ilegale dhe zgjerimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave nëpër disa Bashkësi Lokale, aktivitetet lidhur me përmirësimin e gjendjes së furnizimit me ujë të pijshëm dhe zhvillimin e projekteve infrastrukturore në përgjithësi, poashtu edhe në përkrahjen e bizneseve lokale dhe bujqëve lokal përmes subvencioneve, ku kemi arritur të hapim mbi 200 vende të reja të punës.
Pjesë e bisedës së takimit të sotëm ishte edhe ajo e zhvillimit të bisedimeve në Bruksel, ku shpreha qartë qëndrimet tona të natyrshme për të drejtën e bashkangjitjes së Luginës me Republikën e Kosovës si e tërësi territoriale, si dhe nevojën për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës në këto bisedime me mundësi të mira për kontribut konstruktiv në dialog me shpresë për zgjidhjen përduntimtare të fatit të popullsisë shqiptare të këtij regjioni.