Arrestohet zyrtari që ndihmonte qytetarët të fitonin viza në Gjermani
Policia e Kosovës sot ka arrestuar në Skenderaj një person me inicialet K.B, i cili dyshohet gjatë punës së tij në zyrën e gjendjes civile, ka ndihmuar në mënyrë të jashtëligjshme banorët e këtij qyteti për të përfituar leje qëndrimi në Gjermani, duke iu lëshuar certifikata të martesës me shtetase të huaja pa prezencën e tyre në Kosovës.
K.B është arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, dhe hetimet për të kanë filluar qysh nga 14 dhjetori i vitit 2018.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë, me datën 14 dhjetor 2018 ka pranuar autorizim nga Prokuroria Themelore Prishtinë për të zhvilluar hetime, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar’ nga neni 422 i KPRK-së dhe ‘legalizim i përmbajtjes së pavërtetë’ nga neni 403 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Lidhur me këtë rast, me datën 22 janar 2019, njësitet policore kanë bërë arrestimin e një personi të dyshuar, për kryerjen e veprave të lartcekura. Personi i arrestuar lidhur me këtë rast është: K. B.lindur me 1962”, vazhdon njoftimi, raporton Gazeta Express.
“I dyshuari punonte si zyrtar në Zyrën e Gjendjes Civile në Skenderaj, ka lidhur martesa fiktive në mes të nënshtetasve të RKS-së dhe atyre të BE-së, me ç’rast edhe ka lëshuar certifikata martesore pa prezencën e çifteve martesore. Këto certifikata janë përdorur në Gjermani për rregullimin e lejeve të qëndrimit atje.Me vendim të prokurorit në PTH – Prishtinë të dyshuarit të lartcekur i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, përfundon njoftimi.