Mbi veprimtarinë bëmirëse të Halil Kastratit
Shkruan: Sead Zimeri
Mbi veprimtarinë bëmirëse të Halil Kastratit
Sipas Kantit dallimi mes veprës morale dhe asaj jo morale është motivi. Çdo të thotë kjo? Ai e sjell shembullin e dyqanxhiut i cili vepron konform rregullave të etikës së tregtisë por këtë nuk e bën sepse ai, si njeri i ndershëm dhe i moralshëm, duhet të veprojë kështu, por sepse vetëm kështu, duke mos i mashtruar ata, ai mund t’i mbajë klientët e tij. Nuk ka asgjë të keqe në këtë veprim. Për ta shprehur me gjuhën e Kantit, vepra është legale, por nuk është morale, pasi që motivi nuk është moral por instrumental, dhe egoistik. Nuk është e drejtë që klientët e tij ta gjykojnë atë për dështim moral pasi që ai nuk ka bërë asgjë në kundërshtim me rregullat ligjore dhe etike. Por, edhe pse nuk është e nevojshme të gjykohet për mungesë të moralit, kjo nuk do të thotë që motivi i tij është i mirë, që buron nga vullneti i tij i mirë për tjetrin, nga dëshira për ta bërë një vepër për hir të ligjit moral e jo për hir të interesit të tij personal. Kur vepron për hir të interesit personal, ti nuk ke respekt për tjetrin si njeri por vetëm derisa tjetri është një instrument për arritjen e qëllimeve tua. Ti e trajton tjetrin si vegël, si gjësend pa vullnet dhe pa dinjitet. Tjetri është i vyeshëm për ty vetëm për aq sa ai i kontribon përmbushjes së projektit tënd. Përtej projektit tënd, edhe kur ai hy në marrëdhënie me ty, ai është i parëndësishëm. Si ekzistenca njëjtë edhe mosekzistenca e tij janë të barabarta për ty. Përderisa ai nuk është klient i yti ai nuk ka peshë për ty.
Sipas Kantit kjo është esenca e imoralitetit. Morali shprehet në formë të imperativit kategorik të arsyes praktike, në formë pra të detyrës që subjekti moral duhet ta kryejë pa shpresuar në asnjë shpërblim apo mirënjohje nga tjetri. Tjetri ndihmohet jo pse përmes tij ti ndjehesh i plotë, por sepse ajo është detyra yte, madje edhe atëherë kur kryerja e detyrës të bën jo të lumtur. Nuk ka asgjë të keqe, dhe sipas Kantit, zbatimi i detyrës morale shoqërohet edhe me një lloj kënaqësie në kryerjen e detyrës, por kryesore është që detyra mos të nxitet nga motive jo të mira.
Një logjikë e tillë shpaloset edhe në fetë monoteiste: ajo vepër që bëhet në emër të Zotit duhet ta reflektojë qëllimin për të cilën bëhet. Besimtari i vërtetë nuk sillet me Zotin si dyqanxhiu me klintët e tij në mënyrë instrumentaliste, por me përulësi dhe bindje të plotë ndaj ligjit të Zotit, sepse ashtu ai arrinë të çlirohet nga motivet tjera egoistike dhe të veprojë për hir të dashurisë dhe respektit që ai ka për Zotin e tij. Nëse ai e adhuron Zotin për t’hyrë në parajsë, atëherë marrëdhënia e tij me Zoti është instrumentale, dhe jo e sinqertë. Nuk buron pra nga motivi i drejtë por nga një motiv mashtrues dhe hipokrit. Një besimtarë i vërtetë kurrë nuk mund ta lejojë veten të veprojë me qëllime mashtruese, sepse ai e din që Zoti nuk mund të mashtrohet edhe nëse mund t’i mashtrosh të tjerët për motivet tua. Të tjerët nuk kanë të drejtë të të gjykojnë për motivet, pasi që ai është prerogativ i Zotit dhe individit përkatës.
Nga kjo perspektivë do ta vlerësoja edhe veprën bëmirëse të hoxhë Halil Kastratit. Por njëkohësisht më shqetëson një fakt tjetër, që ky hoxhë bëmirësinë e tij e bën në një mënyrë që është vështirë t’ia përshkruash një qëllim të pastër moral apo fetar. Vepra është gjithsesi shembullore, ndihma është më se e nevojshme në shoqërinë tonë të lënë pasdore nga shteti. Në fakt do të argumentoja që vepra e hoxhës ka një efekt jashtëzakonisht pozitiv në raport me shtetin: ajo e ekspozon në mënyrën më të qartë mosfunksionimin e shtetit, e nxjerr në pah dështimin e shtetit, sepse varfëria nuk është gjë tjetër pos dështim i shtetit. Dikush tjetër mund të argumentojë që kur një person privat i merr përsipër detyrat e shtetit ai i jep një alibi shtetit për dështimet e tij. Unë nuk shoh ndonjë kundërshtim mes këtyre dy interpretimeve, por do të theksoja që ato e komplementojnë njëri tjetrin. Bëmirësia e ekspozon një zbrazti në shtet dhe e mbush atë me vepra bëmirëse. Kështu ajo përderisa i kontribon atyre që shteti i ka harruar dhe tërësisht neglizhuar, vepra bëmirëse po ashtu i kontribon dështimit të shtetit pasi që në një formë apo tjetër vepra bëmirëse e liron shtetin nga përgjegjësia që ajo ka për qytetarët e saj.
Nuk po dua të mirrem me këtë aspekt të bëmirësisë sepse e kuptoj plotësisht nevojën për ndihmë të shtresave të varfëra të popullit tonë. Aq keq është situata saqë të marrësh një qëndrim kritik ndaj veprave të bëmirësisë duket një qëndrim i pashpirtë dhe arrogant. Si mund të dalësh kundër bamirësisë si të tillë në kushtet aktuale të dështimit të plotë të shtetit? Është vërejtje plotësisht e drejtë kjo. Kur kërkohet nevojë urgjente nuk ka vend për kritika intelektuale abstrakte. Por, megjithatë, nevojat urgjente nuk mund t’i anulojnë kritikat po aq urgjente të praktikave si shtetërore po ashtu edhe atyre private që në afat të gjatë e dëmtojnë shoqërinë më shumë sa e ndihmojnë atë. Besoj që veprimtaria e hoxhës në afat të gjatë është më e dëmshme se efektet e saja bëmirëse në afat të shkurtër. Por ndoshta po tregohem jo sensitiv dhe tejet kritik sepse në parim jam kundër bamirësisë për ta shpëtuar shtetin nga detyrat e tij.
Problemin kryesor megjithatë nuk e kam me bëmirësinë e hoxhës por me MËNYRËN se si kjo po bëhet. Mënyra më duket aq përçmuese saqë ajo e minon qëllimin e mirë që mund ta ketë. Ajo ofendon dinjitetin dhe krenarinë e një njeriu të varfër duke e paraqitur atë në situatë të palakmueshme dhe të padëshirueshme. Ndihma që të poshtëron është gjithsesi ndihmë por është edhe poshtërim.
E di që përkrahësve të hoxhës nuk u intereson statusi i publikes, por duhet t’u interesojë. Veprimtaria e tillë publike reflekton mirë për bëmirësin por ajo reflekton keq mbi atë të cilit i bëhet bëmirësia. Ajo lëndon po aq sa ndihmon.
Dikush kësaj vije argumentuese mund t’i përgjigjet kështu:
Çka është më lënduese vazhdimi i një jete të padinjitetshme në varfëri ekstreme, pa kulm mbi krye, dhe pa mundësi për t’i blerë barnat për fëmijë apo pranimi i një lëndimi të sedrës në publik për një kohë relativisht të shkurtër që do të harrohet shpejtë? A më mirë pa dinjitet dhe pa shtëpi apo pa dinjitet dhe me shtëpi? Përgjigja është e qartë: më mirë pa dinjitet dhe me shtëpi sesa pa dinjitet dhe pa shtëpi. Dhe me këtë unë nuk kam kurrfarë zënke intelektuale. Edhe unë po të isha në gjendje të tillë do të preferoja shtëpinë. Nuk kam kurrfare problemi me qëndrimin e pranuesit të bëmirësisë.
Problemi nuk është pra me subjektin e bëmirësisë por me atë që bën bëmirësi. Pasi që ai ka mundësi të bëjë bëmirësi pse nuk e bën në mënyrë jo publike? Pa i rënë shuplakë të varfërit? Pa e detyruar ta shesë dinjitetin e toj njerëzor në formë servile para kamerave televizive që ta shohin të gjithë? Pa ia dhunuar dinjitetin edhe ashtu të dhunuar nga varfëria? Përderisa varfëria ia ka marrë mundësinë për t’u strehuar ajo mund t’ia ketë lënë dinjitetin, përndryshe do ta barazojmë varfërinë me humbjen e dinjitetit. Por një i varfër nuk është detyrimisht i padinjitetshëm. Ai madje mund të ketë dinjitet më shumë se gjithë të pasurit. Dinjiteti është mënyra se si paraqitemi në publik e jo si jetojmë në varfëri. Si jemi jashtë shtëpisë e jo brenda saj. Kur e paraqet një të varfër në mënyrë të padinjitetshme, ti ia merr fytyrën para të tjerëve dhe e detyron, sepse ai ka nevojë ekzistenciale, të shfaqet lakuriq para kamerave që janë aty për ta glorifikuar punën e bëmirësit. Në raste të këtilla qëllimi është absolutisht qenësor në vlerësimin e veprës bëmirëse. Mirë që bën mirë, por mos e detyro atë të cilit i bën mirë kërcejë lakuriq për të dëshmuar vlerën e punës tëndë.
Problemi nuk është pra me subjektin e bëmirësisë por me atë që bën bëmirësi. Pasi që ai ka mundësi të bëjë bëmirësi pse nuk e bën në mënyrë jo publike? Pa i rënë shuplakë të varfërit? Pa e detyruar ta shesë dinjitetin e toj njerëzor në formë servile para kamerave televizive që ta shohin të gjithë? Pa ia dhunuar dinjitetin edhe ashtu të dhunuar nga varfëria? Përderisa varfëria ia ka marrë mundësinë për t’u strehuar ajo mund t’ia ketë lënë dinjitetin, përndryshe do ta barazojmë varfërinë me humbjen e dinjitetit. Por një i varfër nuk është detyrimisht i padinjitetshëm. Ai madje mund të ketë dinjitet më shumë se gjithë të pasurit. Dinjiteti është mënyra se si paraqitemi në publik e jo si jetojmë në varfëri. Si jemi jashtë shtëpisë e jo brenda saj. Kur e paraqet një të varfër në mënyrë të padinjitetshme, ti ia merr fytyrën para të tjerëve dhe e detyron, sepse ai ka nevojë ekzistenciale, të shfaqet lakuriq para kamerave që janë aty për ta glorifikuar punën e bëmirësit. Në raste të këtilla qëllimi është absolutisht qenësor në vlerësimin e veprës bëmirëse. Mirë që bën mirë, por mos e detyro atë të cilit i bën mirë kërcejë lakuriq për të dëshmuar vlerën e punës tëndë.