Hoti bënë bashkë politikanët e Luginës
Rexhep Hoti, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, i ftoi të gjithë përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës në Luginën e Preshevës, në një takim të përbashkët në Bujanoc. Në këtë takim u bisedua gjatë për rëndësinë e bashkëpunimit pa dallime partiake, për problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës si dhe me theks të veçantë lidhur me Programin Nacional për Rininë.
Të pranishëm në takim ishin: Shqipërim Arifi,Shaip Kamberi,Sami Salihu,Armend Aliu,Adnan Salihu,Fatmir Hasani,Nagip Arifi, Ragmi Mustafa,Ardita Sinani,Shqipërim Musliu,Galip Beqiri etj.
Në fjalën përshëndetëse, Hoti sqaroi qëllimin dhe objektivat e Programit Nacional për Rininë. “Ky Program kontribuon posaçërisht në zhvillimin e dijes, shkathtësive në sport dhe në kreativitet kulturor e mendim kritik tek nxënësit pa dallim”, tha Koordinatori Hoti. “Nëpërmjet këtij Programi, bashkimi kulturor dhe edukativ vetëm se ka ndodhur”, shtoi ai.
Në anën tjetër, të pranishmit biseduan për rëndësinë e takimeve të tilla ku mund të diskutohet hapur dhe në mënyrë konstruktive. Ata e cilësuan këtë takim si një nismë shumë të qëlluar dhe mjaft domethënëse për të ardhmen e Luginës dhe në veçanti të nxënësve të kësaj ane. Po ashtu uruan që takime të tilla të përbashkëta të organizohen më shpesh.