Profesori amerikan: UÇK mund të pushtonte Maqedoninë në vitin 2001
Michael S. Lund, profesor në Universitetin ‘John Hopkins’ në Washington mendon se kryengritësit e UÇK-së mund të kishin marrë krejt Maqedoninë, aq sa armata shtetërore do të zhbëhej e do të detyrohej të kthehej në shumësi bandash paramilitare
Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov në adresimin e djeshëm për medie nuk është kursyer as kërcënimi për të përdorur ushtrinë.
Duke mos shpjeguar se për cilat ‘rreziqe’ bëhet fjalë saktësisht, kreu i shtetit maqedonas ka siguruar publikun në Maqedoni se “ushtria është e gatshme për të qenë mbrojtës i integritetit dhe stabilitetit në vend”.
Ky është kërcënimi i parë i drejtpërdrejt i presidentit maqedonas qysh kur dy taborët kundërshtare po i thyejnë heshtat në përpjekje për të ardhur në pushtet.
Por si do të precipitonte një konflikt hipotetik midis Armatës shtetërore dhe një grupi rebelësh? Pyetje si këto janë ngritur vazhdimisht, veçmas në situata të polarizuara.
Portali konica.al sjell ekskluzivisht një vështrim zhbirues të ngjarjeve të vitit 2001. Michael S. Lund, profesor në Universitetin ‘John Hopkins’ në Ëashington, ka përimtuar imtësisht përmasat e përballjes së fundit midis Armatës së ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe formacioneve guerile të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
“Armata e Maqedonisë ishte thelbësisht e paaftë për të përmbajtur rritjen e UÇK-së e cila mund ta sillte konfliktin brenda vetë Shkupit. Aty maqedonasit etnik ishin më shumë sesa shqiptarët por ishin të qerthulluar nga fshatra me shumicë shqiptare. Kontrolli i kryeqytetit dhe fshatrave rrotull nga UÇK, fshatrat shqiptare nga Gostivari, Tetova deri në Shkup dhe viset në perëndim dhe veri të Maqedonisë që veçse kontrolloheshin, do të përftonin pushtimin de facto të vendit.
Edhe pse UÇK kishte epërsinë, në terma më të gjatë një tërheqje ushtarake ishte e gjasshme. Në anën tjetër, Armata e Maqedonisë e kishte kuptuar se edhe nëse do të mund të sprapste kryengritësit, konflikti do të rezultonte në gjakderdhje të madhe që do t’i kushtonte me humbjen e besimit të popullatës shqiptare dhe do ta bënte të pamundur bashkëjetesën në një Maqedoni të bashkuar.
Pavarësisht fuqisë së saj ushtarake, përparimi i UÇK-së u ndërpre kah fundi i verës në afërsi të Haraçinës.
Një pengesë ushtarake dhe politike e bëri UÇK-në ngurruese për të vazhduar më tej konfliktin. Një pengesë e qartë ishte se nëse do të vazhdonte mësymjen tutje, do t’i avitej edhe më forcave të KFOR-it të vendosura në aeroportin ndërkombëtar të Petrovecit dhe rafinerisë kryesore të naftës.
Përveç kësaj, Armata e Maqedonisë mund të bënte qëndresë të ndjeshme për shkak se ajo kishte pranuar disa tankse dhe helikopterë luftarakë. Në fund, lëvizja drejt luginës do të sillte UÇK-në në fshatrat maqedonase dhe serbe. Gjithashtu, nëse përfytjet ndëretnike do të shpërthenin rrugëve të Shkupit, kjo do t’i ngjante Sarajevës. Shumë njerëz po e linin vendin dhe po nxitonin për të marrë viza për të ikur. Edhe për guerilët zhvillimet ishin mjaft drastike për të menduar më gjatë dhe e gjithë kjo mund të nxiste ndërhyrjen e trupave ndërkombëtare.
Nëse do t’ia dilte mbanë UÇK-ja, Armata e Maqedonisë dhe grupet paraushtarake mund të ndërmerrnin një lloj veprimtarie guerile, me ose pa dashjen e qeverisë. Duke përfituar nga terreni malor i vendit në jug, kjo do ta bënte vendin të paqeverisshëm për UÇK-në. Ky skenar do të thoshte gjakderdhje të pafundme, prej të cilës zor se vendi do të merrte vetën.
(Shkëputur nga Michael S. Lund ‘Green and Grievance Diverted: How Macedonia Avoided Civil War, 1990-2001, në Understanding civil war: evidence and analysis, Volume 2, 2005, f. 244)