Bisedimet me Serbinë, ekipi negociator në udhëkryq
Nga Arton Konushevci, Rel/
Formimi Ekipit negociator për bisedimet me Serbinë, nuk i ka minimizuar dallimet politike në Kosovë të cilat janë evidente sa u përket negociatave që priten. Nga ky Ekip thotë se po përpiqen t’i përafrojnë dallimet ekzistuese në qëndrimet politike rreth dialogut, jo vetëm në raportet pushtet – opozitë, por edhe në pozicionet që aktualisht mbajnë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në njërën anë, dhe kryeministri Ramush Haradinaj në anën tjetër.
Analistët politikë, ndërkaq theksojnë se për shkak të mospajtimeve të ndryshme ndërmjet presidentit dhe Qeverisë së Kosovës, Ekipi negociator gjendet në një situatë të pafavorshme për punë.
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë thekson se Ekipi negociator, përveç problemeve të tjera, ka edhe mungesë të legjitimitetit, pasi që është zgjedhur me votat e më pak se gjysmës së numrit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Dallimet ndërmjet presidentit dhe kryeministrit të Kosovës për çështjet e ndryshme, siç janë taksa, por edhe për politikën e jashtme të Kosovës dhe konkretisht për bisedimet me Serbinë. Po ashtu ka dallime edhe për kompetencat kushtetuese të presidentit dhe tash kompetencat ligjore të Ekipit negociator, apo edhe të dërgimit Ligjit për dialogun në Gjykatën Kushtetuese nga opozita. Pra, të gjitha e rëndojnë edhe më shumë, apo e bëjnë gati të pamundur veprimin e Ekipit negociator të Kosovës si përfaqësues legal dhe legjitim i shtetit të Kosovës në bisedimet me Serbinë”, tha Tahiri.
Tahiri thotë se Ekipi negociator duhet që patjetër të bashkëpunojë me institucionet e Republikës së Kosovës, duke veçuar këtu çdo tentim apo mëtim që Ekipi negociator të dalë kundër presidentit ose kundër vijës institucionale.
“Ekipi negociator i ka dallimet brenda partnerëve të koalicionit, siç ishte deklarimi i fundit i (zëvendëskryeministrit) Enver Hoxhajt për shkuarjen e tyre në Bruksel për të dorëzuar Platformën, pra mospjesëmarrja si përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës në takimet e fundit të Ekipit negociaror”, tha Tahiri.
Pjesë e Ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë është edhe një nga tri partitë opozitare, përkatësisht Partia Socialdemokrate. Ndërkaq dy partitë më të mëdha, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk janë pjesë e këtij ekipi.
Njëri nga kryesuesit e Ekipit negociator, Fatmir Limaj, i cili është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se qëndrimi i delegacionit të Kosovës në këtë mes nuk është i lehtë.
“Ne po përpiqemi që dallimet, çfarëdo qofshin ato mes grupeve apo palëve, t’i përafrojmë dhe të ndërtojmë qëndrimin unik. Edhe Platforma duhet parë me këtë sy. Do të thotë, për herë të parë kemi arritur të kemi një dokument të përbashkët që mbështetet nga pjesa dërmuese e institucioneve dhe ai do të reflektojë unitetin. Mendoj se kjo është puna që është duke bërë delegacioni i Kosovës, pra përafrimin e qëndrimeve dhe demonstrimin e seriozitetit të Kosovës”, tha Limaj.
Ai tha se Kosova është e gatshme për fazën finale të dialogut, e cila, sipas tij, garanton një marrëveshje të mirë për vendet përkatëse dhe garanton implementimin e saj kurdo që arrihet.
Jehona Lushaku-Sadriu, politologe dhe njohëse e integrimeve evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se qëndrimet e ndryshme apo edhe të kundërta të udhëheqësve të institucioneve lidhur me dialogun, e dëmtojnë pozicionin e vendit në këtë proces.
“Unë mendoj se Kosova si shtet nuk e ka një vizion të qartë se si dëshiron ta menaxhojë dialogun me Serbinë. Këtu duhet një master plan që i përfshin të gjitha institucionet, të gjitha partitë politike, shoqërinë civile, Akademinë e Shkencave e kështu me radhë. Duhet të ketë një kompozicion nga të gjithë akterët më relevantë shtetërorë, sepse atje është përfaqësim shtetëror dhe është dialog i nivelit shtetëror, e do të duhej të ishte dhe unik. Meqë nuk po e kemi këtë unitetit si shtet, ne kemi edhe ndasi midis Presidencës e Qeverisë, Ekipit negociator dhe ka një pështjellim që është shumë i dëmshëm për vetë Kosovën”, tha ajo.
Kuvendi i Kosovës, kanë miratuar Ligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë dhe Platformën për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që prej se Kosova vendosi taksën doganore prej 100 për qind në nëntorin e vitit të kaluar.
Ky dialog lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurse si qëllim kryesor ka normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë e domosdoshme që të dy shtetet duhet ta kalojnë në procesin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.