Disa mësime rreth ngjarjes në Zelandën e Re
Atë çfarë ndodhi sot në dy xhami në Zelandën e Re duhet ta shikojmë nga dy këndvështrime:
– Nga këndvështrimi fetar (sheriatik) dhe
– Nga këndvështrimi i caktimit (kaderit).
Sa i përket këndvështrimit fetar, pa dyshim që është një krim jashtëzakonisht i rëndë, drithërues dhe i poshtër. As historia nuk mund ta fshijë, bile mendoj që nuk ndodh të ketë ndonjë njeri me arsye të shëndoshë, pa marrë parasysh fenë që i takon, që mund ta përkrahë këtë krim apo të jetë i kënaqur me të.
Ndërsa sa i përket këndvështrimit të caktimit (kaderit), Allahu i Lartësuar thotë: “Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju.” (Kuran, 24:11). Kushedi, shpresojmë që Allahu i Lartësuar ua ka shkruar të mirën muslimanëve pas kësaj ndodhie të dhimbshme në shpirtrat e tyre.
Këtë do ta qartësojmë në pikat vijuese:
– Së pari: Mundësia e shfrytëzimit të kësaj ndodhie nga muslimanët për përmirësimin, gjegjësisht mbrojtjen dhe prezantimin të Islamit në botën perëndimore. Derisa armiqtë e Islamit, me një oratori të paparë, e lidhin emrin e terrorit me fenë Islame, dhe pretendojnë se terrorizmi është fryt dhe produkt i kësaj feje, Allahu caktoi që të ndodhë një ngjarje e tillë, që mbarë bota ta kuptojë, njëherë e mirë, se lidhja e terrorizmit me fenë Islamë është një shpifje dhe gënjeshtër, gjethet e së cilës shpejt ranë, e ndërtesa e së cilës shpejt u rrënua, pas kësaj ndodhie zbuluese. Kështu që ne si thirrës, si muslimanë, duhet ta shfrytëzojmë këtë ndodhi për ta pastruar mirë terrenin e Islamit, si dhe për të shfaqur madhështinë e saj duke treguar se ajo është feja e përjetshme, deri në fund të kësaj dunjaje, si dhe fe e paqes, unitetit dhe mëshirës, gjë të cilën më së miri e dëshmon fjala e viktimës së parë në derë të xhamisë: “Përshëndetje vëlla!”, duke buruar nga natyrshmëria esenciale e virtyteve të fesë Islame… Ndërkohë që krimineli, në anën tjetër, i mbushur me urrejtje e ligësi që ndërtohen mbi një shpirt të poshtër, iu përgjigj me një rrebesh plumbash.
– Së dyti: Shpresojmë për ata të vdekur ta kenë arritur shkallën e dëshmorit (shehidit) në rrugën e Allahut, atë gradë të lartë në Xhennetet e begata. Pastaj, prej shenjave përgëzuese që u vërejtën te këta dëshmorë, gjë që vlen edhe për të gjithë muslimanët, është vrasja e tyre në një prej shtëpive (xhamive) të Allahut, duke e kryer një obligim madhor islam. Përveç kësaj, njëri prej të vdekurve, pak orë para dorëzimit të shpirtit, kishte ngritur gishtin tregues, duke shfaqur dëshminë e së vërtetës haptazi, gjë për të cilën, siç përcillet në hadithin e saktë, Profeti Muhamed ﷺ ka thënë: “Ai që fjalët e fundit në këtë botë i ka: “La ilahe ila Allah – Nuk meriton të adhurohet askush tjetër me të drejtë përveç Allahut” do të hyjë në Xhenet”.
– Së treti: I kam arritur edhe ngjarjet e tmerrshme të 11 Shtatorit, pavarësisht hidhësisë dhe vrazhdësisë së tyre dhe ndodhive që pasuan, ato sollën rizgjim dhe interesim për Islamin te njerëz të cilët nuk kishin njohur asgjë për të. Rrjedhimisht, Allahu udhëzoi një numër të madh prej tyre pasi që dëgjuan për këtë fe. Andaj, ndoshta edhe kjo ngjarja e sotme e dhimbshme zgjon popuj dhe shtete që ta njohin të vërtetën shndritëse të kësaj feje madhështore, duke i bërë të kuptojnë që shpëtimi për tërë njerëzimin, ruajtja e të drejtave të secilit dhe gdhendja e drejtësisë dhe e lumturisë së të gjithëve gjendet pikërisht në këtë fe.
– Së katërti: “E kush është në fjalë më i vërtetë se Allahu?”;
“Ata vazhdimisht do të luftojnë kundër jush, që të mund t’ju kthejnë nga besimi juaj.” (Kuran, 2:217). Lufta në mes nesh dhe armiqve të Islamit është rivalitet, herë njëra palë e herë tjetra. Gjurmët e saj të çojnë te rrënjët e besimit. Kjo do të vazhdojë deri në Ditën e Gjykimit dhe fundja dielli nuk mbulohet me sitë. Armiqësia e tyre është e vulosur, e shqiptojnë gjuhët dhe veprat e tyre, për atë edhe krimineli në fjalë fliste në emër të luftërave të kryqëzatave dhe urrejtjes së tij për Islamin dhe muslimanët. Së këndejmi, ne assesi nuk duhet t’u bindemi thirrjeve për bashkim të feve dhe assesi faktit që kinse të tri fetë qiellore na qenkan të vërteta sepse janë fe qiellore nga Zoti i botëve. Kjo gjë shpjegohet qartë në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.” (Kuran, 3:85).
Këto janë gjërat më të theksuara që arrita t’i shkruaj si për nguti, porse këto gjëra pa dyshim meritojnë të analizohen më gjerësisht…
Allahu i mëshiroftë dëshmorët e xhamive në Zelandën e Re, ua ngrittë gradat në Xhenetet e begata, familjeve të tyre u dhentë sabër dhe i shpërbleftë, i shëroftë të sëmurët e tyre dhe e lusim Allahun ta sjellë fitoren sa më shpejt për muslimanët në çdo vend të kësaj bote!
Amin, o Zoti im!