Lajme

Vuçiq: Serbia do ta njoh Kosovën, por Beogradi duhet të fitojë diçka si kundërshpërblim

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar sot se nuk e përjashton mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por ka potencuar se Beogradi duhet të fitojë diçka si kundërshpërblim.

“Para së gjithash ekziston mundësia për kompromis. Nuk mund ta njohim Kosovën, e të mos fitojmë diçka nga pala tjetër”, ka thënë Vuçiq, në një intervistë për agjencinë italiane ANSA.

Siç transmetojnë mediat serbe, Vuçiq ka thënë se çështja e ndryshimit të kufijve është një temë kontravrese, pasi që nuk i njohin të gjithë kufijtë e njëjtë, varësisht nga ajo nëse e kanë njohur Kosovën ose jo.

“Për dallim nga liderët e Kosovës, të cilët çdo ditë po i mashtrojnë qytetarët e tyre me premtime jo reale, se Prishtina do të fitojë gjithçka e Beogradi asgjë, detyrë e imja është që serbëve t’ua shpjegoj kuptimin e kompromisit [me Kosovën], i cili nuk paraqet fitore as humbje. Fitore për të ardhmen e Serbisë”, tha Vuçiq, përcjell Telegrafi.

Ai ka mohuar se ka pasur ndonjëherë takime sekrete me presidentin Thaçi, siç pohojnë disa media, dhe i ka përshkruar si “rrenë e kulluar” pretendimet e ekzistimit të një drafti të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Ka përsëritur se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të vazhdojë derisa Qeveria e Kosovës nuk e tërheq taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

“Në qoftë se nuk arrihet një marrëveshje kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë, do të ketë katastrofë. Edhe pse gjithçka duket e vështirë dhe ndonjëherë e pamundur, në jemi të vendosur të arrijmë kompromis. Jam i sigurt se mund të arrijmë te zgjidhja me ndihmën e miqve tanë evropian dhe me përkrahjen e Rusisë, Amerikës, Kinës dhe vendeve të tjera”, tha Vuçiq.

Ai ka folur për qasje të përgjegjshme dhe të kujdesshme të Beogradit, i cili sipas tij, nuk është përgjigjur ndaj masave “maksimaliste dhe provokative të Prishtinës”, në mënyrë që të mos rrezikohet paqja dhe stabiliteti në rajon.

Related Articles

Back to top button