Haradinaj, ushtar i Amerikës apo i Gjermanisë?
E ndërsa media gjermane spikat rolin e Haradinajt si kreu i qeverisë së një shteti që kërkon vendin e vet në Europë, ish-komandanti i UÇK-së duket se i ka kthyer sytë edhe nga Amerika së fundi, duke deklaruar se është ushtar i saj. Por politika e tij deri më tani ka qenë mbështetëse e qëndrimit të Gjermanisë.
Nëse nuk do të qe për Haradinajn dhe shokët e tij të luftës, republika më e re e Europës mund të mos ekzistonte. Kështu shkruan gazetari Walter Mayr për gjermanen “Der Spiegel”, në një artikull mbi kryeministrin e Kosovës, për vendosjen e taksës doganore me njëqind për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe për diskutimet e krerëve të të dy shteteve rreth shkëmbimit të territoreve. Rreshtimi kategorik kundër kësaj ideje nga ana e Gjermanisë, artikuluar nga kancelarja Angela Merkel, nuk është i ri. Nuk është habi edhe veçimi dhe lartësimi i figurës së kryeministrit Haradinaj nga mediat gjermane për rolin e tij jo vetëm si komandanti rebel i dikurshëm që luftoi për çlirimin e Kosovës dhe u përball dy herë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, duke dalë i pafajshëm, por edhe si burrështetasi që duket se po sfidon për herë të parë të dërguarit e Uashingtonit në Prishtinë, që prej 2008-s.
Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, ka nxitur Prishtinën dhe Beogradin të arrijnë një marrëveshje, që do të ishte mundësi historike për ta dhe ku bisedimet mes presidentit Thaçi dhe Vuçiç shkojnë kah ideja e shkëmbimit të territoreve, ku veriu i dominuar nga serbët t’i kalojë Beogradit, ndërsa lugina e Preshevës me shumicë shqiptare, Kosovës, kryeministri Haradinaj i ka refuzuar propozime të tilla, duke i cilësuar si absurditet i rrezikshëm. “Tragjeditë në Ballkan gjithnjë kanë pasur të bëjnë me kufijtë. Kushdo që i ngre sërish këto çështje nxit tragjedi të reja”, do të thoshte ai për “Spiegel”-in.
Kundërshtimin e këtij propozimi, Haradinaj e bëri me akt. Pasi Serbia vuri veton, kundër hyrjes së Kosovës në Interpol, qeveria e Kosovës prezantoi taksat doganore. “Ishin një vendim sovran i qeverisë kosovare”, do të thoshte Haradinaj, i cili mendon se Kosova duhet të mbrojë veten.
Por vendimi sovran për një masë të tillë, për të cilën Haradinaj është shprehur se nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën, është përkthyer si qëndrim i politikave të Gjermanisë, që i druhen një precedenti të tillë në Rajon. Ende Kosova mbetet fëmija problematik i Ballkanit. Por nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e diskutonin prekjen e kufijve të Kosovës, tashmë kanë ndryshuar mendim. Këshilltari i Trump, për sigurinë, Bolton, do të shprehej se nëse palët arrijnë një marrëveshje, SHBA-ja nuk do ta përjashtonte rregullimin territorial.
“Ne nuk do të bëhemi pengesë dhe nuk mendoj se ndokush në Europë do të bëhet pengesë nëse të dyja palët arrijnë një marrëveshje të ndërsjellë e të kënaqshme”, do të thoshte Bolton.
Por kundër kësaj marrëveshjeje potenciale mes dy shteteve, është qartësisht Gjermania. Marrëveshja e pashkruar, por e respektuar ndërkombëtarisht për të mos ndryshuar asnjë nga kufijtë e vjetër të brendshëm të Jugosllavisë po vihet në diskutim. Gjermania e sheh si precedent të rrezikshëm, që mund të hapte lojën mes serbëve të Bosnjës për një aleancë me Serbinë apo që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të kërkonin t’i bashkoheshin Shqipërisë.
Nëse politikat e Amerikës përfaqësohen përmes presidentit Hashim Thaçi, ato të Gjermanisë duket se pasqyrohen te Haradinaj. Vendimet e këtij të fundit për taksën u kritikuan fort nga SHBA-ja, e cila kërkoi pezullimin e menjëhershëm të taksës, ose përballjen me pasojat.
Ndihmëssekretari ardhshëm i Shtetit për Europën dhe Azinë, Philip Reeker, do t‘u bënte edhe njëherë thirrje autoriteteve në Kosovë ta hiqnin taksën për t’i hapur rrugë arritjes së marrëveshjeve. Pasi kryeministri Haradinaj tregoi rezistencë ndaj kërkesës së aleatit më të madh të Kosovës, zyrtarët e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguan një letër të ashpër, duke shprehur habinë sesa pak Kosova e vlerësonte miqësinë mes dy vendeve, por me gjithë masat si anulimi i vizitës së gjeneralit Timothy Orr, Amerika do të shprehej se është e gatshme të përkrahë Kosovën për arritjen e marrëveshjes dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Nga ana tjetër, edhe Gjermania zyrtare ka kritikuar vendosjen e taksës në 100 për qind për mallrat nga Serbia. “Gjermania nuk ka mirëkuptim fare për vendosjen e taksës prej 100% nga ana e qeverisë së Kosovës për mallrat e Serbisë”, do të deklaronte zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert. Por më shqetësuesi ndër problemet për Gjermaninë do të ishte shkëmbimi i territoreve apo ndryshimi i kufijve. Për kancelaren Merkel, integriteti territorial i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Dialog dhe marrëveshje po, thotë Gjermania, por jo në kurriz të kufijve të brishtë të rajonit.
Edhe deputetët e CDU/CSU të Bundestagut gjerman, Peter Bayer dhe Christian Schmidt, gjatë një vizite në Prishtinë do të theksonin se ishin kundër këmbimit të të territoreve.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass, ndërsa fliste për taksën që Kosova u ka vendosur mallrave serbe, është shprehur se Gjermania ka rezerva ndaj çështjes, por tonet nuk ishin aq të ashpra sa ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ky qëndrim i kreut të diplomacisë gjermane ka zemëruar presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, i cili do të thoshte, “Deklarata e kreut të diplomacisë gjermane Heiko Mass se ai do të vazhdojë të mbështesë Prishtinën pa marrë parasysh taksat për mua është një zhgënjim i madh”.
Edhe deputeti i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë në Bundestagun gjerman, Josip Juratovic, ndërsa fliste se duhet të ketë një reagim të BE-së ndaj taksës së vendosur prej autoriteteve të Prishtinës, ka prekur edhe anën tjetër të medaljes se gjithashtu BE-ja duhet të liberalizojë vizat për Kosovën. E ndërsa media gjermane spikat rolin e Haradinajt si kreu i qeverisë së një shteti që kërkon vendin e vet në Europë, komandanti i njohur dikur me emrin e luftës “Smajl”, duket se i ka kthyer sytë edhe nga Amerika së fundi, megjithëse politika e tij deri më tani ka qenë mbështetëse e qëndrimit të Gjermanisë.
Gjatë një vizite në SHBA, ku është përkujtuar 108-vjetori i Kryengritjes së Malësisë dhe Dita e Flamurit të Dedë Gjo Lulit, në Detroit, kryeministri kosovar do të thoshte se ishte një ushtar i Amerikës. “Unë jam njeri i terrenit, si ushtar i Amerikës në terren dhe unë i zbatoj urdhrat, por i zbatoj ashtu si i parasheh terreni”, do të shprehej Haradinaj, që edhe në këtë mesazh diplomatik, ka qenë sfidues ndaj SHBA-së. Më herët ai është shprehur se nga komunikimet me administratën e presidentit Trump, ka kuptuar se as Amerika nuk është për ndërrim kufijsh.
“Kam si Kosovë respekt për Amerikën. E kemi shpallur veten shtet më 17 shkurt. Kjo Kosovë ka dashuri për Amerikën. S’mund të dalim nga vetja dhe nga 17 shkurti”, do të mbante qëndrim kreu i qeverisë së Kosovës. Por administrata e Trump, do të arrijë një zgjidhje historike, e ngjashme me marrëveshjen e Koresë.
Kryeministri i Kosovës pajtohet se synimet e europianëve janë të vështira për t’u përcaktuar, ndryshe nga ato të SHBA-së. “Kur njerëzit tanë fluturuan drejt Brukselit për bisedime me Mogherini-n kishin me vete një propozim prej 30 faqesh. Dhe çfarë morën nga negociatorët e BE-së? Asgjë. Veç kafe dhe ujë, falas”, do t’i thoshte gazetarit gjerman, Haradinaj.
“Megjithëse SHBA-ja nuk është palë në negociata, ne e mbështesim fuqimisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, mes Beogradit dhe Prishtinës”, do të shprehej në një intervistë për mediat serbe, zv/ndihmëssekretari i Shtetit, Matthew Palmer, i cili pritet të mbërrijë sot në Tiranë gjatë turit të tij në rajon. Palmer e ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e SHBA-së për në marrëveshjen, sipas tij të zbatueshme, jetëgjatë dhe të mos krijojë destabilizim në secilin shtet apo në rajon. “Ne do të marrim seriozisht në konsideratë çdo lloj marrëveshjeje që plotëson këto kushte”, ka thënë ai, duke theksuar se marrëveshja duhet të zotërohet nga vendasit. Të njëjtat mesazhe ka përcjellë më herët edhe sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, pas një takimi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Por, megjithëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksojnë se marrëveshja duhet të zotërohet nga liderët vendas, influenca e tyre përcillet përmes qëndrimit të presidentit Thaçi, i cili e përkrah mundësinë e shkëmbimit të territoreve, ashtu si homologu i tij, Vuçiç. Nga ana tjetër, kryeministri Haradinaj doli si një aktor i rëndësishëm në këtë çështje, duke u bërë edhe faktor për ecurinë e bisedimeve mes dy shteteve, si “ushtari” në fushën e shahut të politikave të Gjermanisë. Por siç ka deklaruar vetë kryeministri, ai është ushtar që përgjigjet sipas kushteve dhe nevojave të terrenit. A do të mundet t’u rezistojë presioneve ndërkombëtare me bllokadën që i ka vënë Serbisë përmes taksës njëqind për qind dhe a do t’ua marrë protagonizmin dy krerëve të shteteve, që kërkojnë të arrijnë një marrëveshje, përmes asaj që e quajnë “korrigjim të kufijve”?