Lajme

Thaçi: Lugina e Preshevës të bashkohet drejt Kosovës, por pa këmbim të territoreve

Presidenti kosovar Hashim Thaçi, në vigjilje të samitit të sotëm të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, deklaroi se nuk do të lejojë kurrfarë këmbimi të territoreve me Serbinë, por theksoi se “është e drejtë e shqiptarëve të Lugës së Preshevës të bashkohen drejt Kosovës”, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në konferencën për shtyp në aeroportin e Prishtinës para shkuarjes për në Berlin, Thaçi mbrëmë tha se Kosova nuk do të lejojë as model të “sovranitetit të dyfishtë” për Kosovën, për të cilin në mediat kosovare dhe serbe spekulohet se do të propozohet nga ana e nikoqirëve të samitit, kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Makron, si zgjidhje për kontestin e Kosovës dhe Serbisë.

Në lidhje me dialogun me Serbinë , Thaçi kërkoi para vazhdimit të tij nikoqirët e samitit ta dënojnë gjenocidin serb në Kosovë.

“Theksoj se sa i përket mundësisë për vazhdim të dialogut, Kosova është e gatshme ta vazhdojë dialogun për marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila hap perspektiva për fqinjësi të mirë dhe njohje të ndërsjellë, por jo edhe dialog i cili është kushtëzuar nga Serbia. Pres të dënohet gjenocidi serb në Kosovë edhe nga ana e organizatorëve të takimit. E shikoni se çdo ditë marrim pjesë në përvjetoret e ngjarjeve në të cilat shteti serb ka kryer gjenocid në Kosovë”, deklaroi Thaçi.

Ai theksoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe përderisa në këtë samit nikoqërit Merkel dhe Makron nuk dalin me qëndrim të qartë në lidhje me liberalizimin, ajo do të jetë “padrejtësi e madhe ndaj Kosovës”.

Në samitin e sotëm në kryeqytetin e Gjermanisë, përveç Thaçit, Kosovën do ta prezantojë edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Sipas informatave jozyrtare të publikuara në mediat rajonale në gjuhën shqipe dhe serbe, është e mundur Merkel dhe Makron të propozojnë zgjidhje përfundimtare për kontestin Kosovë-Serbi, me të cilën Beogradi mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës, ndërsa për kthim të marrë shkallë të caktuar të sovranitetit ndaj vendeve në Kosovë me shumicë të popullatës serbe dhe ndaj objekteve ortodokse fetare.

Udhëheqësit shtetëror të Kosovës dhe Serbisë në reagimet e para e hodhën poshtë këtë ide si të papranueshme.

Related Articles

Back to top button