E pamundura u realizua/ Liverpol bën historinë, Barça i nënshtrohet turpshmëm
Liverpool ka bërë mrekullinë në Anfield duke mposhtur Barcelona-n 4-0 dhe kualifikohet në finalen e madhe të Champions League.
Barcelona e pëson si ndaj Roma-s një vit më parë, duke shpërdoruar avantazhin e 3 golave të ndeshjes së parë.
Ashtu siç pritej, atmosfera e Anfield ishte e mrekullueshme dhe energjia e tifozëve është transmetuar edhe në fushën e lojës.
Skuadra e Klopp e nis me një ritëm të lartë dhe në minutën e 7’ të takimit ishte Divock Origi ai që shënoi golin e avantazhit për vendasit.
Ky ishte goli i parë në karrierë për belgun në Champions League, ai nuk mund të zgjidhte moment më të përshtatshëm se ky.
Ndeshja mbetet e shpejtë dhe me ritëm të lartë. Barcelona shpërdoron disa mundësi, po ashtu edhe Liverpool mund të kishte rrezikuar më shumë portën kundërshtare.
Pas pushimit, Klopp detyrohet të nxjerrë nga loja Robertson dhe për të futet Georginio Wijnaldum.
Holandezi ka bërë diçka të pabesueshme duke shënuar dy herë brenda dy minutave (54’ dhe 56’). Gini ka barazuar disavantazhin e ndeshjes së parë.
Sfida është në fije të perit për të dyja skuadrat pasi një gol do të ishte vendimtar. Vendasit tregohen më të kujdesshëm, po ashtu edhe Barcelona mendon të mbrohet përpara se të sulmojë.
Në minutën e 78’ ka ardhur goli i katërt i vendasve me shumë dinakëri. Arnold fut topin në zonë nga goditja e këndit duke kapur në befasi prapavijën e miqve teksa Origi ka shënuar golin.