Lajme

Nervozohet Kadri Veseli: Thuj atij llaposhit (Buzhalës) se unë s’ja kom shti baben në burg…

Kadri Veseli e ka thirrur në telefon kryeredaktorin e Gazetës Express dhe T7’shit, Leonard Kërqukin. Gjuha që ai e ka përdorur ka qenë një gjuhë e rrugës, por për hirë të transparencës thekset kryesore të saj po i publikojmë.

Pas publikimit të shkrimit se Kadri Veseli ka udhëtuar për në Hagë, Kryetari i Kuvendit i ka telefonuar Kryeredaktorit të Gazetës Express, Leonard Kerqukit. Më poshtë sjellim sqarimin e Kerqukit për këtë telefonatë.

Gazeta Express ka marrë informata të sigurta nga Haga se z. Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit, ka udhëtuar sot pasdite drejt kryeqytetit të Holandës – i ftuar si i dyshimtë nga Tribunali Special. Sipas të njëjtave informata, ai ka udhëtuar përmes Lubjanës.

Gazetarët e Gazetës Express kanë provuar gjatë gjithë ditës që këto informata t’i konfirmonin përmes Kabinetit të Veselit, por kjo ka qenë e pamundur.

Në këtë situatë, e vetmja zgjidhje për ne ishte që ta botojmë lajmin – të bindur në vërtetësinë e informatave që kishim marrë.

Pas publikimit të lajmit, ka qenë vetë Kryeparlamentari Veseli ai i cili më ka telefonuar në numrin tim personal në WhatsApp.

Fillimisht kam menduar se është ndonjë shaka e ndonjë kolegu, por gjatë bisedës e kuptova se ishte pikërisht ai, Kryetari i PDK’së. Z. Veseli në fillim të bisedës ka tentuar që të shfaqet i përmbajtur, por pastaj e ka tradhtuar gjuha; duke përdorur edhe fjalor të papërshtatshëm – të papërshtatshëm për një Kryetar Kuvendi, e të papërshtatshëm edhe për shkak të raporteve tona zyrtare dhe vetëm zyrtare.

Veseli e ka mohuar kategorikisht se është ftuar në Tribunal, ndërkohë që është përkujdesur të duket komplet i relaksuar sa i përket kësaj teme.

“Kjo është shpifje, është propagandë e juaja”, e ka përsëritur disa herë ai.

Kam instituar disa herë se ne jemi gazetarë dhe se kemi tentuar ta kryejmë punën tonë, duke tentuar të marrim informata nga Kabineti i tij disa herë.

“Ju jeni duke abuzuar me lirinë e shprehjes. Vazhdojeni… Por dijeni se unë qe 30 vjet jam në politikë dhe këto fore i kuptoj shumë mirë”, ka vazhduar ai.

Për asnjë moment Veseli nuk ka thënë se ndodhet në Prishtinë, përvecse ka përsëritur se “është këtu, këtu…”.

“Gjithë ka me pas UCK edhe Kosovë, gjithmonë”, ka instituar ai gjatë kësaj telefonate.

“Ju edhe sondazhin e NDI’së nuk e keni nxjerrë të plotë, e dini ju pse e keni bo këtë”, ka shtuar më tej.

Në këto caste, pastaj gjuha ka degraduar, duke përmendur edhe Drejtorin e Gazetës Express, Berat Buzhalën e madje edhe familjarët e tij.

“Ju shkoni ndaci edhe te nana Ajshe e jemja…. Ama mos harroni se njerëzit kanë familje, kanë fëmijë – nuk bon kështu”.

“Po të flasë si Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Jeni ka abuzoni. Vazhdoni”.

“Mu kjo punë vec mi flladit… a po e din cka po du me thanë”, ka vazhduar ai.

Më pas, ka dhënë porosi për Buzhalën.

“Thuj atij llaposhit se unë s’ja kom shti baben në burg… E din ai… Ama dije se UCK edhe Kosovë ka me pas gjithmonë këtu”, ka thënë ai.

Kam insistuar se gazeta do ta bëjë demantin dhe përmirësimin e lajmit – nëse është e vërtëtë se ai do të intervistohet në Tribunal, por Veseli ka instituar se nuk i intereson fare kjo cështje.

Për fund, dua të them se unë jam gazetar prej vitit 2004, e Kryeredator i Gazetës Express prej vitit 2010. Kam marrë qindra telefonata nga politikanë apo njerëz të zakonshëm që kanë reaguar për shkrime të ndryshme, por kjo ishte telefonata më e pakëndshme që kam marrë. Nuk e kualifikoj si kërcënim, megjithëse në parim vetë thirrjet nga politikanë të këtij niveli edhe mund të merren si të tilla.

Related Articles

Back to top button